Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Mal të Zi dhe Shqipëri, pasi një 36-vjeçare nga Lezha u gjet e pajetë brenda një banese të përfshirë nga zjarri në Ulqin.

Viktima është identifikuar si Dila Ndoj, nga Balldreni i Lezhës, ndërsa autoritetet dyshojnë se ajo është vrarë nga bashkëjetuesi i saj, Bashkim Gashi, 46 vjeç nga Kosova.

Sipas hetimeve paraprake, pas krimit të dyshuar, autori i ka vënë flakën banesës në lagjen Kodre të Ulqinit, me qëllim fshehjen e gjurmëve.

Policia malazeze bëri me dije se trupi i pajetë i 36-vjeçares u gjet brenda banesës së djegur, ndërsa i dyshuari u arrestua më vonë me lëndime të marra nga zjarri.

Autoritetet në Mal të Zi kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.

Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe në Balldren të Lezhës, ku jetonte viktima, ndërsa familjarë dhe të afërm janë tronditur nga humbja e saj.

Sipas burimeve pranë familjes, ceremonia mortore pritet të zhvillohet në vendlindjen e 36-vjeçares, ku familja do të presë ngushëllimet.