Krerët e Kishës Katolike, Ortodokse dhe Vëllazëria Ungjillore, thirrje për bujari ndaj njerëzve në nevojë
Ilda Hoxha
Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin festuan dje ditën e ringjalljes së Krishtit. Mijëra besimtarë u mblodhën që në mesnatë për të zhvilluar ceremoninë e shenjtë. Urime erdhën nga krerët më të lartë të Kishës Katolike, asaj Ortodokse dhe Vëllazërisë Ungjillore. Për besimtarët e krishterë, ceremonia e shenjtë nisi që në mesnatë në katedralen e “Shën Palit” në kryeqytet, ku besimtarët katolikë me qiri në duar përkujtuan birin e perëndisë, siç e cilësojnë ata Jezusin. Ajo u drejtua nga im zot Rrok Mirdita. Kreu i Kishës Katolike, im zot Rrok Mirdita, u lut për më shumë paqe, harmoni dhe u bëri thirrje të gjithë njerëzve të tregohen bujarë, duke ndihmuar njerëzit në nevojë. “Shumë të dashur vëllezër e motra, secili nga ju e ka ndezur një qiri për t’ju mbushur me gëzim dhe për t’ju udhëhequr drejt takimit me Krishtin. Ai ndriçoftë sot e përgjithmonë jetën tuaj dhe të familjeve tuaja. Për shumë vjet Krishtlindjet dhe Gëzuar Vitin e Ri 2015”, uroi kreu i Kishës Katolike, im zot Rrok Mirdita. Ndërsa besimtarët ortodoksë e zhvilluan ceremoninë e shenjtë në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në katedralen “Ringjallja e Krishtit”. Një urim i veçantë u bë edhe nga kreu i Kishës Ortodokse, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos, i cili apeloi për bashkëjetesë dhe paqe. “Le të kremtojmë Krishtlindjen duke marrë frymëzim, besim dhe shpresë për kapërcimin e problemeve tona, personale e sociale. Gëzuar Krishtlindjen!”, uroi Fortlumturia e Tij, Anastasi. Ky i fundit, një pjesë të fjalës së tij, e mbajti në gjuhën shqipe, ndërsa një pjesë në atë greke. Një urim për festën e Krishtlindjeve është bërë edhe nga Ali Kurti, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore. Ai ka dëshiruar më tepër paqe për të gjithë njerëzit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. “Në emër të Vëllazërisë Ungjillore përshëndes të krishterët ungjillorë, të gjithë të krishterët dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Gëzuar! Mesazhi i Krishtlindjes është një mesazh për Perëndinë, për Jezu Krishtin, për mirëkuptimin, faljen dhe shpresën”, ka uruar besimtarët, kreu i Vëllazërisë Ungjillore. Krishtlindjet janë festuar edhe në qytetet e tjera të vendit. Në qytetin e Pukës, famullitari i Fushë-Arësit ka theksuar varfërinë në të cilën jetojnë mjaft familje, të cilat nuk kanë mundësi të festojnë këtë fundvit. “Këto Krishtlindje i gjejnë shumë familje në terr, kryesisht në rajonin tonë. Në shumë prej këtyre familjeve të varfra, shkak për errësirën janë bërë gjobat e padrejta të faturimit abuziv nga mbifaturimi. Përballë kësaj situate, qeveria duhet të marrë masa e të amnistojë familjet e varfra, pasi gjendja po vështirësohet dita-ditës”, tha frat Andreas Walermann, famullitar i Fushë-Arësit. Krishtlindja është një festë fetare e krishterë. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezu Krishtit. Në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Dita e Krishtlindjes kremtohet në të gjithë botën, ku besimtarët shkëmbejnë dhurata me njëri-tjetrin, si edhe urojnë për më shumë dashuri dhe harmoni në familjen e gjithsecilit. Përgatitjet për këtë festë nisin javë përpara se vigjilja e 25-dhjetorit të shënojë edhe kulmin e festimeve. Dhurata, ushqime të shumëllojshme, e gjithë familja e mbledhur rreth tavolinës duke ndarë urime dhe mesazhet për një vit më të mbarë e më të mirë.