Ora 00:00, lind Krishti, lokalet dhe pub-et mbushen plot. Sot Papa uron në shqip


Lorina Mixha


Krishtlindjet dhe Viti i Ri tanimë në kalendar rrethohen me të kuqe, jo vetëm nga besimtarët, por nga të gjithë qytetarët. Veçanërisht të rinjtë, me rastin e Krishtlindjeve kanë prenotuar mbrëmjen e djeshme, për darka, për të kthyer nga një gotë, por edhe për të kërcyer e festuar të gjithë së bashku.


Krishti lindi, të gjithë janë veshur me të kuqe, të gjithë po gëzojnë e po festojnë në Tiranë, madje vitet e fundit edhe pema nuk quhet më e Vitit të Ri. Tanimë “gabimi” po korrigjohet dhe po quhet pema e Krishtlindjeve.


Sot pritet që Papa Papa Benedikti XVI të urojë në mbi 60 gjuhë të botës, mes tyre edhe në shqip. Krishti lindi! Gëzuar Krishtlindjet 2012!


Dje lokalet, pubet dhe restorantet në kryeqytet kanë qenë të mbushura plot, ndërkohë që nga mëngjesi në darkë dyqanet kanë “korrur” më shumë fitime për shkak të traditës së dhuratave.


Tani edhe në Shqipëri Krishtlindjet janë kohë për të qenë më të dashur, për të ndihmuar më shumë ata që kanë nevojë, për të kaluar më shumë kohë me të dashurit dhe për të marrë e për të dhënë atë që quhet “shpirti i Krishtlindjeve”.


Më shumë se gjithë të tjerët kanë festuar fëmijët. Dje ata kanë organizuar festa, kanë shkëmbyer dhurata, kanë uruar njëri-tjetrin për pushime të mbara e për t’u sjellë fat dhe lumturi këto Krishtlindje.


Në orët e para të mëngjesit, besimtarët e krishterë kanë vizituar kishën duke uruar njëri-tjetrin dhe duke gdhirë ditën në lutje, në mesazhe paqeje e në përqafime.


Festa ka mbledhur besimtarët e krishterë shqiptarë, katolikë e ortodoksë, nëpër katedralet dhe kishat e mbarë vendit.


Me qirinj në duar dhe duke u lutur, besimtarët kanë kryer ritet fetare. Mesha në përkujtim të lindjes së Jezu Krishtit nis me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla nga klerikët më të lartë, të cilët urojnë besimtarët.


Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia e ka zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë.


Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Bethlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj, Jozefi, po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret.


Besimtarët shqiptarë festojnë darkën e Krishtlindjeve dhe më pas me qirinj në duar ndjekin ritet fetare në kishë, duke u gdhirë në lutje e duke uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe, lumturi dhe harmoni.


 


Ritet


Në orët e para të mëngjesit besimtarët e krishterë kanë vizituar kishën duke uruar njëri-tjetrin dhe duke gdhirë ditën në lutje, në mesazhe paqeje e në përqafime


 


Krishtlindje 2012


Durim me zemër të gjerë


Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë ortodoksë, Bij të shtrenjtë më Zotin, “Zoti i drejtoftë zemrat tuaja… në durimin e Krishtit” (2 Thes. 3:5)


Shpëtimtari i botës, ardhjen e të Cilit kremtojmë në Krishtlindje, nuk erdhi në tokë si një udhëheqës plot ngut dhe i vrullshëm për të ndryshuar përnjëherësh realitetin mëkatar. Fjala e Perëndisë, i bërë njeri, nuk kërkoi të ndreqë gjithçka në pak kohë, të imponojë me forcë parimet që shpalli për një shoqëri të drejtë. Që në vitet e para të pranisë së Tij në historinë e njerëzimit, u soll me një DURIM të mahnitshëm: durim ndaj indiferencës së banorëve të Bethlehemit që nuk i ofruan as edhe një strehë të thjeshtë. Durim ndaj armiqësisë paranojake të pushtetit politik, që ndjeu se po kërcënohej dhe rendi të marrë masat më të dhunshme kundër Tij. Durim në kushtet e të qenët i huaj, kur u detyrua, së bashku me nënën e Tij dhe mbrojtësin e Tij Josif, të gjejë strehë në një vend të huaj, në Egjipt. Dhe më vonë, për shumë kohë, punoi si punëtor krahu, me durim, duke marrë pjesë heshturazi në mundimin e popullit të thjeshtë.


Dhe kur mbërriti koha për misionin e Tij publik, për të krijuar parimet e një shoqërie të re dashurie, të Kishës, për shpalljen e së vërtetës, të paqes dhe të drejtësisë, përsëri tregoi durim të paepur: durim ndaj mospranimit të mesazhit të Tij nga skribët intelektualë dhe farisenjtë në dukje shpresëtarë, durim ndaj shpifjeve të pabaza, durim ndaj sjelljeve zemërngushta dhe mendjengushta të të Tijve. Durim ekstrem në poshtërimet e bëra nga ushtarët e pagdhendur të absolutizmit romak. Durim në kulmin e martirizimit të kryqit.


 


* * *


Ndërsa kundrojmë personin e Mesias që po vjen, le të mendojmë më me kujdes rreth “durimit të Krishtit”. Dhe le të kërkojmë nga Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit (Rom. 15:5), Perëndia i dashurisë, të orientojë drejt këtij durimi zemrat tona.


Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar, ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo. Sigurisht, kur flasim për durimin e krishterë, nuk nënkuptojmë përballje pasive, një lloj qëndrimi stoik, një formë nirvane, heqje dorë nga përgjegjësitë dhe kërkesat e drejta, indiferencë për aksion social.


Krishti artikuloi fjalë kritike- le të sjellim në mendje predikimet e Tij,- me fjalë të ashpra- le të kujtojmë zinxhirin e fjalëve “mjerë” kundër skribëve dhe farisenjve (Matth. 23:33). Dëboi nga tempulli ata që e kishin bërë “shtëpi tregtie” (Matth. 21:33, Mark. 11:17). Por njëkohësisht na fton të mësojmë prej Atij, i Cili është “i butë dhe i përulur në zemër” (Matth.11:29), durimin e thellë të brendshëm, që të gjejmë paqen dhe ekuilibrin në shpirtrat tanë.


Durimi i krishterë nuk përbën dobësi karakteri. Përkundrazi, ngjason me fuqinë e frenave që mbron nga aksidentet, që garanton sigurinë e udhëtimit. Mjerë ai që guxon të udhëtojë me makinë ose aeroplan që nuk kanë frena të forta. Frenat e sigurta presupozojnë fuqi. E njëjta gjë ndodh edhe me durimin. Ai i transformon edhe hidhërimet, edhe sprovat më të mëdha. Nga përvoja e tij personale, apostull Pavli na siguron: “…se hidhërimi sjell durim, durimi sprovë (karakter të sprovuar), ndërsa sprova shpresë, shpresë e cila nuk turpëron” (Rom. 5:3-5).


Me anë të durimit, njeriu përdor më mirë fuqitë e tij intelektuale dhe sentimentale. Durimi i bashkuar me këmbënguljen e paqtë, çel kalime në shumë rrugë pa krye: në marrëdhëniet familjare, në krizat e shëndetit, në vështirësi të ndryshme ekonomike, gjatë procesit të edukimit, në hulumtimin shkencor, në përpjekjet krijuese. E udhëheq njeriun drejt pjekurisë. “Durimi vepër të përsosur ka, që të jeni të përsosur dhe të plotë duke mos mënuar në asgjë” (Jak.1:4).


Shkrimi i Shenjtë na ka dhënë shumë shembuj të durimit, nga të cilët më të njohurit janë ai i Avrahamit (Hebr. 6:15), i Jovit (Jak.5:11) dhe i Hyjlindëses. Por veçanërisht na fton të imitojmë “durimin e Jisuit”: “Me durim le të vrapojmë në betejën që qëndron përpara nesh, duke e pasur vështrimin te kryetari i besimit dhe përsosësi Jisu” (Hebr. 12:1-2,4). Dhe me shikimin tonë të përqendruar tek Ai, le të përballemi me durim zemërgjerë me sprovat që na dalin përpara. Në mënyrë të veçantë, të gjithë ata që përhapin Ungjillin, të vërtetën e Krishtit në kufijtë e vjetër dhe të rinj, sa janë “dhjakonë” dhe të dërguarit e Tij, janë thirrur në një pjesëmarrje më të ngushtë në veprën dhe Pësimin e Tij “në durim të shumtë, në hidhërime, në nevoja, në shtrëngime… (2Kor. 6:4).


Mbi të gjitha kërkohet durim në ditët tona, për të arritur reciprocitetin dhe unitetin e brendshëm shpirtëror, për të cilat ka nevojë vendi, për ta kapërcyer krizën. Me durim do ta fitojmë jetën tonë (shih Llk. 23:19).


 


* * *


Të gjitha sa nxirren në pah në këto ditë kremtuese, vëllezërit e mi- paqja, dashuria, shpresa dhe durimi që theksuam ditën e sotme- janë gjëra të ndërlidhura njëra me tjetrën, ashtu siç ndërlidhen në trupin tonë organet jetësore, sistemi nervor, i qarkullimit të gjakut dhe ai muskulor. Secili ndërvaret, mbështet dhe fuqizon tjetrin. Pra durimi nuk është aspak i veçuar dhe autonom. Vepron së bashku me besimin (sistemi nervor), shpresën (ai muskulor) e me dashurinë (sistemi i qarkullimit të gjakut) e cila “i duron të gjitha” (1 Kor. 13:9).


Le ta lusim fort Zotin, “Perëndinë e dashurisë” në këto festa të Krishtlindjeve që të orientojë mendimet tona drejt kësaj forme durimi, por mbi të gjitha, ta bëjë këtë edhe me zemrat tona. Të na orientojë drejt “durimit të Krishtit” të paqtë, të fortë, rrezatues, të paepur.


Dhe “Dielli i drejtësisë”, fitimtar do të shndrisë përsëri brenda reve të zeza, për të ndriçuar dhe për të ngrohur zemrat tona. Me durim me zemër të gjerë le të ecim sidomos gjatë Vitit të Ri, që të kapërcejmë problemet e shumëllojta dhe kundërshtitë e paparashikuara.


Krishtlindje të bekuara!


Me të gjithë dashurinë time në Krishtin


† Anastasi


Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë


Dhjetor, 2012


 


Shkodër


 


Koncert në vigjilje të


ditëlindjes së Krishtit


Atmosfera e Krishtlindjes ka nisur të ndihet në Shkodër. Dritat shumëngjyrëshe kanë pushtuar qytetin. Meditim për këtë ditë të rëndësishme të Kishës Katolike dhe të mbarë njerëzimit e quan Dom Gjovalin Sukaj Famullitar i Shkodrës koncertin e Kshnellave të organizuar në Kishën Katedrale. Këngët e Krishtlindjeve tradicionale për këtë periudhë janë pjesë e koncertit, por nuk mungon edhe muzika që sjell atmosferën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Kori “Prenk Jakova” dhe kori “Nënë Tereza”, si dhe formacioni “Classic Sound’s” sollën atmosferën e Krishtlindjes në vigjilje të saj me muzikën kishtare dhe këngët e kësaj nate në pritje të ardhjes së Jezus Krishtit.


 


Korçë,


 


Pedonalja, treg i veçantë


për festat e fundvitit


Dekori i festave të fundvitit për Korçën, ndryshon këtë vit jo vetëm për investime të zbukurimeve, por edhe në infrastrukturë. Një shëtitore që për herë të parë funksionon që nga ky fundviti, duket se do të jetë një nga qendrat kryesore të festimeve në qytet. Që nga sheshi para katedrales “Ngjallja e Krishtit” dhe përgjatë bulevardit “Shën Gjergji” deri te sheshi para teatrit të qytetit, ka nisur të funksionojë një rrugë vetëm për këmbësorë, investim ky i ndërmarrë nga bashkia me financim të donatorëve amerikanë, që e ka shndërruar këtë segment rrugor në një rrugë pedonale si njëlloj mirëseardhjeje vizitorësh për në Korçë. Në njërin krah të kësaj rruge pedonale, tashmë janë vendosur çadrat, ku është caktuar të tregtohen mallra dhe lodra që tregtohen për qytetarët me rastin e festave të fundvitit. Jo më shumë se 1 kilometër rrugë e bulevardit kryesor të qytetit, pas një investimi të rëndësishëm, është shndërruar në korridor të festave dhe me perspektivën e vazhdueshme të shëtitjes së kalimtarëve në qetësi. Edhe në krye të këtij bulevardi, te sheshi para Katedrales, bashkia ka vendosur bredhin e festave të fundvitit, dhe prapa monumenti i Luftëtarit Kombëtar, i kompozuar gjithashtu me një dekor të ri, nga investimet që janë kryer për pedonalen e Korçës. Nuk dihet ende se çfarë surprizash për festat e fundvitit ka rezervuar Bashkia e Korçës, sepse duke filluar nga festa e Krishtlindjes që kremtohet me madhështi në këtë qytet, një atmosferë edhe më festive dhe e veçantë pritet gjatë këtyre ditëve. G. Ashimi