Prokuroria vërteton abuzimet me diplomat e dy italianëve, kërkon raste të reja


Prokuroria zgjeron hetimet për skandalin e pajisjes me diplomë në universitetin privat “Kristal”. Pas zbardhjes së rasteve ndaj dy italianëve, njësia Task-Forcë ka kërkuar regjistrin e studentëve, për të parë dokumentet me të cilat janë regjistruar dhjetëra persona. Ka dyshime se e njëjta skemë, e përdorur për pajisjen me diplomë universitare të Renzo Bosit, ka ndodhur edhe me dhjetëra të tjerë, të cilët kanë marrë dokumentin pa qenë asnjëherë në seminare dhe leksione, madje edhe notat janë fiktive. “Pas sekuestrimit të një sërë dokumentesh, po shikohen me imtësi procedurat e ndjekura që nga regjistrimi i studentit, deri te diplomimi i tij dhe nëse është konsumuar apo jo falsifikimi i dokumenteve edhe për këto raste”, pohon akuza e cila po verifikon dyshimet se shumë studentë mund të jenë regjistruar direkt në vitin e dytë ose të tretë, duke paguar paratë e viteve të pandjekura.


Rezulton se Bosi ka marrë 29 provime, të gjitha në gjuhën shqipe, për të cilin kanë firmosur pedagogët, madje me nota 8, 9 dhe 10


Renzo Bosi nuk ka pasur diplomë pjekurie dhe megjithëkëtë mungesë është regjistruar në universitet, vetëm me një vërtetim


Akuza pohon se janë në pritje të vënies në dispozicion nga universiteti të disa procesverbaleve, ndërsa nga pyetja e pedagogeve pjesë e këtij stafi është dhënë versioni se asnjeri prej tyre nuk e mban mend studentin Renzo Bosi, sepse sipas tyre, ata kanë pasur dhjetëra studentë në auditorë. Hetimet janë fokusuar për të zbuluar personin, i cili sipas tij, ia ka bërë dhuratë diplomën Renzo Bosit, megjithëse universiteti “Kristal” më herët ka deklaruar se Renzo Bosi është regjistruar për vitin akademik 2007-2008 dhe ka përfunduar shkollën sipas rregullave.


Në lidhje me rastin e Bosit, akuza pohon se është regjistruar në universitetin “Kristal” me një vërtetim që shkruante se personi në fjalë kishte përfunduar shkollën e mesme në Itali. Dorëzimi i këtij dokumenti daton në vitin 2007, në kohën kur “Trofta” ende nuk kishte marrë diplomën e pjekurisë.


Megjithatë, “bashkëpunëtorët” e tij kanë paraqitur të gjitha dokumentet në universitetin privat dhe zyrtarisht “shkruhet” se 24-vjeçari ka ndjekur rregullisht studimet, në një kohë që vetë ka pranuar se nuk di asnjë fjalë shqip dhe se nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri. Deklarata e lëshuar nga Renzo ka lehtësuar punën e prokurorëve të njësisë Task-Forcë, të cilët kanë vërtetuar se për rastin në fjalë kemi një falsifikim dokumentesh. “Do të kryejmë ekspertizën e origjinalitetit të diplomës së sekuestruar nga Prokuroria e Milanos dhe Napolit. Nëse rezulton se është origjinale, atëherë pedagogët dhe persona të tjerë që kanë bërë regjistrimin e tij në universitetin privat mund të ndiqen penalisht. Tashmë është vërtetuar se kemi të bëjmë me një rast abuzimi, pasi personi që ka marrë diplomën pretendon se nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat shtojnë se do bashkëpunojnë me drejtësinë italiane për zbardhjen e këtij abuzimi në sistemin universitar. “Do të kërkojmë pyetjen zyrtarisht të Renzo Bosit për diplomën e marrë në universitetin ‘Kristal’. Gjithashtu, kërkojmë diplomën origjinale të sekuestruar në Itali, së bashku me të gjitha dokumentet e tjera”, vijojnë burimet nga njësia Task-Forcë. Sipas tyre, hetimet do të vijojnë me pyetjen e pedagogëve që kanë firmosur në listën e notave apo regjistrin e universitetit. Rezulton se Renzo ka marrë 29 provime gjithsej.


Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka marrë më së fundmi dokumentet nga Ministria e Arsimit, në lidhje me rastin “Renzo Bosi”. “Ministria e Arsimit na ka vënë në dispozicion disa dokumente për auditet tek universitetet private. Kemi kërkuar prej tyre nëse kishin njësuar diplomën e shkollës së mesme të Renzo Bosit. Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se nuk ka një vendim të tillë dhe me sa duket, ministria nuk ka pasur informacion për këtë student”, thanë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se po verifikohet edhe roli i MASH në këtë çështje. Grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se Renzo Bosi është regjistruar në universitetin “Kristal” pa diplomën e pjekurisë dhe përpos kësaj ka arritur të marrë pikët maksimale në Shqipëri, duke u diplomuar në degën e Menaxhim Biznesit. s.çobo