Më 21 shkurt, kur aksi Librazhd-Përrenjas u shemb, mjetet e transportit interurban, u detyruan ta përshkojnë itinerarin Tiranë-Korçë dhe anasjelltas, përmes një rruge malore dhe me kthesa nga Gramshi, që e zgjati kohën e udhëtimit deri në 5 orë. Këto 2 orë më shumë rrugë u përkthyen edhe në kosto, duke rritur paralelisht edhe çmimin e biletës, nga 700 në 1000 mijë lekë.

Vështirësia për të arritur juglindjen e vendit, izolim i cili u përkthye edhe në humbje për turizmin vendas, u zgjidh pas 11 ditësh, më 3 mars, kur autoritetet hapën një rrugë provizore në aksin e shembur në Librazhd. Korça nisi të përshkohej sërish për gati 3 orë. Por çmimi i biletës mbeti më i shtrenjtë nga ai fillestari. Sot udhëtimi nga Tirana në Korçë kushton 800 lekë dhe jo 700, siç ishte përpara se rruga të shembej.

“Një pension mesatar kam. Siç e bëjnë këta, mos qoftë kurrë kështu. Si të udhëtojmë me aq para? Ja u sëmura, do shkoj në spital , kush më përkrah?”

“Është shtrenjtë. E papërballueshme”, thanë disa prej qytetarëve.

Por çfarë e ndikoi këtë situatë? Në fund të shkurtit nisi lufta në Iran, dhe në ditët e para të marsit, u reflektua ndikimi i menjëhershëm në rritjen e çmimit global të naftës me 10-13% pasi u prek transporti në ngushticën e Hormuzit. Pa ndonjë vendimmarrje, por kaluar në heshtje nën këtë klimë lufte dhe rritjesh të çmimeve, bileta e udhëtimit për në juglindje, mbeti 800 lekë.

Për shoqatën e Transportit Inter-urban, këto çmime janë abuzive, pasi pavarësisht krizës, çmimet janë të përcaktuara dhe ndryshohen vetëm me Vendim të këshillit të Ministrave. Së fundi, shoqata ka bërë takime me përfaqësues të qeverisë dhe ka marrë premtimin për subvencionim 100 lekë për litër.