50 për qind shkalla e papunësisë mes spanjollëve nën moshën 30-vjeçare
Ndërkohë që Spanja përjeton vitin e pestë të rënies ekonomike, rinia e këtij vendi mban në kurriz një pjesë të pabarabartë të barrës. Me papunësinë e përgjithshme prej 25 përqindësh, shkalla e papunësisë mes spanjollëve nën 30 vjeç është 50 për qind.
Studentët e vitit të parë të biologjisë në Universitetin Autonom të Madridit janë mes atyre më me fat, ose kështu menduan. Ata përbëjnë rreth 30 për qind të të rinjve që shkojnë në universitet. Por me recesionin e gjatë, ata shqetësohen se arsimi i tyre nuk do t’i ndihmojë të gjejnë punë, madje edhe pas katër vitesh.
“Jam studente biologjie. Me goditjen e krizës ata shkurtuan ndjeshëm financimet për kërkime shkencore. Jam e sigurt që më duhet të shkoj në një vend tjetër që të gjej punë, sepse nuk ka punë të garantuar në kërkime shkencore”.
Padyshim nuk do të ndiheshin më mirë po të takonin 27-vjeçaren Sylvana Fernandez, me dy diploma biznesi, e cila në të njëjtën ditë qëndronte në radhën e të papunëve.
“Ndërkohë që studioja, na thanë se ishte një karrierë e mirë, me dy diploma dhe se gjetja e punës do të ishte e lehtë. Kjo nuk ndodhi. Është shumë e vështirë të gjesh punë. Nuk jemi në gjendje të kemi jetën normale të një të djali apo vajze 27-vjeçare”.
Fernandez kaloi disa punë të përkohshme pas shkollimit, sapo kishte filluar kriza ekonomike. Por edhe këto mundësi janë zhdukur. Sikurse shumë intelektualë spanjollë, edhe ajo po mendon të largohet nga vendi.
“Për mua dhe shokët e mi këtu nuk ka shumë shanse dhe kjo më shqetëson. Nuk jam vetëm unë. Janë të gjithë”.
Kjo është për të ardhur keq, thonë ekspertët, sepse punonjësit e shkolluar janë ata që ka nevojë Spanja për të rindërtuar ekonominë. Ndërkohë miliona spanjollë me arsim të mesëm do të duhet të shtojnë aftësitë e tyre për të gjetur punë në industritë e teknologjive të larta. Por ky është një proces i gjatë dhe i pasigurt që mund ta lërë Spanjën me një brez punonjësish të dekurajuar.
“Po flasim për një brez të humbur, nga mosha 20 deri 30-vjeçare, që janë pa punë, 50 për qind e tyre. Kjo është një situatë që ndikon tek këta të rinj për të gjithë jetën”.
Disa të rinj që ende nuk u duhet të shqetësohen për gjetjen e vendit të punës, po përpiqen të ndihmojnë të prekurit nga kriza. Këta studentë nga një shkollë e mesme private tejet e kushtueshme dalin vullnetarë në qendrat e shpërndarjes së ushqimit.
“Në jetën tonë normale jetojmë me njerëz që kanë para dhe paguajnë për gjithçka, ndërsa këta njerëz vijnë këtu të ushqehen. Është një përvojë që duhet përjetuar nga të gjithë”.
Gjithnjë e më shumë spanjollë po përjetojnë kushtet e rënda ekonomike në një mënyrë apo tjetër.