Klandestinët në Shqipëri


Vetëm në fundjavë, 4 grupe klandestinësh nga bota arabe kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet Greqisë


Procedohen penalisht 30 shoferë dhe arrestohet një i dyshuar për organizim të trafikut klandestin


Kohët e fundit duket se janë riaktivizuar trafikantët shqiptarë të klandestinëve, pasi rezulton se nëpërmjet kufijve jugorë të vendit ka nisur të vërshojë një masë e madhe emigrantësh të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrika e Veriut. Klandestinët janë kryesisht nga Siria, e përfshirë në zjarrin e luftës civile, e së fundmi në krizë humanitare. Hyrja në kufirin shqiptaro-grek e klandestinëve dhe lëvizja e tyre nëpër akset rrugore nacionale brenda territorit shqiptar, sipas policisë, bëhet nga grupe të organizuara të trafikimit ilegal të emigrantëve shqiptarë dhe grekë.


Ringjallja


Burime zyrtare të seksionit kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës bënë të ditur se në tri javët e fundit janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 drejtues të automjeteve, që transportojnë këta klandestinë. Prej ditësh, strukturat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës janë përfshirë në një operacion në shkallë të gjerë për goditjen e rasteve të trafikimit të emigrantëve klandestinë nga vendet arabe. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, specialistët e sektorit kundër trafiqeve të paligjshme kanë bllokuar katër grupe klandestinësh në rrugën kombëtare Kakavijë-Tepelenë, shumica e të cilëve janë emigrantë klandestinë të larguar nga Siria, ndërkohë që mes tyre ka palestinezë, marokenë dhe algjerianë. Ata mendohet se sillen nga grupe shqiptare trafikantësh, të cilët e kanë shtrirë veprimtarinë e tyre në Greqi, Shqipëri dhe Mal të Zi.


Sirianët


Sipas policisë, gjashtë klandestinët e rastit të fundit, që vinin nga Siria janë kapur dhe bllokuar të hënën në hyrje të qytetit të Tepelenës dhe në fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm në orvatjet e tyre për të përdorur taktikën e shmangies së kontrollit në postbllokun e përhershëm të patrullave policore dhe për të vazhduar më tej udhëtimin klandestin drejt Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, nga ku shpresonin të vazhdonin rrugën drejt vendeve të Europës Perëndimore. Pjesëtarët e njërit prej grupeve deklaruan në polici se gjatë qarkullimit në territorin shqiptar, ata lëviznin në grupe të vogla me automjete të trafikantëve shqiptarë dhe se destinacioni i tyre ishte kalimi në Mal të Zi.


Algjerianët


Mësohet se patrulla e policisë, po dje ka bllokuar tre algjerianë që kishin hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme. Grupi i klandestinëve algjerianë është bllokuar dhe ndaluar nga një patrullë e policisë kufitare në rrugën nacionale në dalje të fshatit Lazarat, ndërkohë që mësohet se tre klandestinët algjerianë, gjatë orëve të natës, kanë përshkuar disa kilometra rrugë duke kaluar nëpër fushat e Dropullit. Ata deklaruan se ishin braktisur në panik nga transportuesit e tyre, për shkak të operacionit policor antiklandestin.


Trafikantët


Burime të policisë bënë të ditur për “Shqip” se vijojnë hetimet për një grup që është riaktivizuar në trafikun e shtetasve të huaj, si sirianë, marokenë, algjerianë dhe palestinezë. Ata dyshohet se kanë ngritur një linjë të re trafikimi që nis në Athinë, vijon në veri të Greqisë duke kaluar brezin e gjelbër në disa pika dhe që nga Shqipëria vazhdon më pas në Mal të Zi. Për këtë shërbim, çdo klandestin detyrohet të kryejë një pagesë në vlerën 1500 euro, vetëm për garancinë dhe lëvizjen brenda territorit shqiptar.


I arrestuari


Në kërkim të trafikantëve të kësaj linje, policia ndaloi dje në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Tepelenë, në afërsi të Tepelenës, një automjet me targa të huaja, që drejtohej nga Grigor Sulaj, 45 vjeç, lindur dhe banues Fier. Me këtë mjet po udhëtonin tre shtetas nga Siria. Në këtë automjet udhëtonin së bashku me drejtuesin edhe katër shtetas shqiptarë, që ishin përkatësisht nga Tepelena, Fieri, Tirana dhe Tropoja. Të ndaluarit së bashku me shtetasit sirianë dhe automjetin janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Gjirokastrës.


Dëshmitë


Të pyetur nga policia, emigrantët nga Siria kanë deklaruar se kishin hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë. Klandestinët kanë deklaruar gjithashtu se për t’iu shmangur postblloqeve të policisë në Jergucat dhe Uji i Ftohtë në Tepelenë, trafikantët i zbrisnin nga makina dhe ata kalonin me këmbë, duke shmangur pikën e kontrollit. Sipas tyre, ata janë ndihmuar që në Athinë nga një shtetas nga Tepelena, i cili i ka ndihmuar të hyjnë në Shqipëri dhe më pas i ka hipur në automjetin, ku u kapën, për t’i transportuar në Tiranë.


Shoferët


I pyetur rreh veprimtarisë në rritje të trafikut të klandestinëve, zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai, tha për “Shqip” se Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër, pavarësisht mospublikimit të informacionit gjatë muajve të fundit kanë bërë bllokimin e dhjetëra shtetasve të huaj që tentojnë të hyjnë nëpërmjet territorit jeshil nga Greqia për në Shqipëri dhe konfirmoi se deri tani, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 29 drejtues të automjeteve që transportojnë këta klandestinë. Sipas tij, po vijojnë hetimet, duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit për të bërë dokumentimin me prova ligjore të një grupi me veprimtari kriminale në fushën e trafikut të qenieve njerëzore. Ç. J.


 


OKB


Lufta në Siri është kthyer në krizë humanitare


Më shumë se 100 mijë sirianë u larguan nga vendi në muajin gusht për t’i shpëtuar luftës së përgjakshme, që sjell edhe numrin më të lartë të shënuar brenda një muaji që kur filloi konflikti në mars të vitit 2011. Shifrat janë bërë publike pak ditë më parë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Vetëm brenda gushtit, numri i refugjatëve pothuajse është dyfishuar, duke arritur në 235 mijë vetë. Gushti ishte gjithashtu muaji më i dhunshëm deri më sot, me rreth 5 mijë të vdekur. Numri më i madh i refugjatëve ka shkuar në Turqi dhe gjatë ditëve të para të shtatorit, mbi 1 mijë vetë kanë kaluar kufirin çdo ditë. Edhe numri i atyre që shkojnë në Irak është rritur në 500 në ditë nga 500 në javë që ka qenë deri para pak kohësh. Situata duket tragjike, duke marrë parasysh se Siria është një vend me mbi 22 milionë banorë dhe se zgjatja e mëtejshme e luftës mund të shkaktojë miliona të shpërngulur.