Kryeministri Edi Rama ka komentuar rritjen e çmimit të naftës duke u shprehur se kjo krizë po ndodh në të gjithë botën, jo vetëm tek ne.

Sipas kryeministrit, çmimi i karburanteve është më i lartë në vendin tonë se në rajon, pasi në të përfshihet edhe taksa e qarkullimit. Rama shtoi se kjo taksë nuk mund të hiqet, pasi do detyronte të gjithë ata që kanë makina të paguanin 4-fishin e asaj që paguajnë tani.

“Tani besoj që njerëzit e kanë kuptuar që po përballemi me një krizë që ndodh në të gjithë dynjanë. Çmimi i naftës është rritur kudo, në vende të tjera ka shkuar edhe shumë më lartë se këtu. Çfarë po bëjmë, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë?

Zakonisht, është më i lartë se disa vende rreth e rrotull, sepse ne kemi edhe taksën e qarkullimit. Nëse e heqim taksën, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një mjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot. Në vend se t’ju ngarkojmë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë; kjo është logjika. Në një farë mënyre, ata që djegin më shumë karburant janë edhe ndotës.

Për këtë arsye, ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë për të gjithë mënyrën se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës. Dhe nga ana tjetër, duam që kjo kompani të jetë edhe furnizuese e naftës, dhe duke qenë furnizuese, të ndikojë në çmimin e naftës duke mbrojtur interesat e konsumatorëve”, u shpreh Rama.