Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit me një kërkesë urgjente për mbështetje financiare, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të karburantit.

Në letrën e nënshkruar nga kryetari i shoqatës, Dashnor Memaj, i kërkohet qeverisë dhe Këshillit të Ministrave që të zgjasin skemën e kompensimit për operatorët e transportit publik edhe për periudhën qershor, korrik dhe gusht 2026.

FOTO/ Krizë në transportin publik: Operatorët kërkojnë

Sipas përfaqësuesve të transportit, çmimi i karburantit ka arritur nivelet më të larta të vitit, duke rënduar ndjeshëm kostot operative të këtij sektori. Duke qenë se mjetet e transportit publik kanë konsum të lartë karburanti, situata financiare për shumë operatorë është bërë e papërballueshme.

“Nëse kjo situatë do të vijojë, ekziston rreziku real i përkeqësimit të likuiditetit financiar të operatorëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve, furnitorëve dhe institucioneve tatimore,” thuhet në letrën drejtuar ministrisë.
Përveç zgjatjes së afatit të subsidies, shoqata kërkon gjithashtu thjeshtimin dhe përshpejtimin e procedurave të rimbursimit. Sipas tyre, një pjesë e operatorëve ende nuk i kanë marrë pagesat e periudhave të mëparshme, gjë që po përkeqëson më tej situatën e tyre financiare.

FOTO/ Krizë në transportin publik: Operatorët kërkojnë

Shoqata nërmarrjen e këtyre masave e konsideron si të domosdoshme për të garantuar funksionimin normal dhe vijimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët.