Prodhimi i specave në Shqipëri është kthyer në një shqetësim serioz për sigurinë ushqimore. Vetëm pak ditë më parë, Kroacia asgjësoi një tjetër ngarkesë me speca të prodhuar në Shqipëri. Kësaj here, produkti rezultoi me nivel të lartë të metalit të rëndë, nikel.
Sipas njoftimit në sistemin RASFF, prania e nikelit në specat jeshilë ishte 1,96 mg/kg, ndërsa niveli maksimal i lejuar është 0,4 mg/kg, raporton Top Channel.
Kësaj here speci ynë i shkaktoi dëm ekonomik tregtarit nga Kosova, i cili pasi bleu një kamion me speca Shqipërie i ri-eksport drejt Kroacisë, por pas konstatimit të nivelit të lartë të nikelit, ngarkesa u bllokua në kufi.
Për këtë çështje ka folur profesori Ilir Kristo, specialist i tokave.
“Prezenca e nikelit në tokë është hasur në Korçë, Devoll, Prrenjas, Kukës, por edhe në ujërat e lumit Shkumbin. Prania e nikelit në tokë mund të jetë normale, por nuk është aspak normale kur ai kalon në bimë apo në fruta.
Rritja e specave në toka me prani të metaleve të rënda mund të ndalohet. Si fillim, Ministria e Bujqësisë duhet të sigurojë hartën e tokave dhe ujërave ku ka prani të metaleve të rënda dhe më pas të edukojë fermerët se si këto toka mund të përdoren për prodhimin e perimeve dhe frutave të sigurta”.
Top Channel: A mund ta parandalojmë praninë e nikelit përpara se ky metal i rëndë të kalojë në bimë dhe fruta?
Prof. Dr. Ilir Kristo, specialist i tokave: Nëse burimi është ujor, duhet të ndërpresim këtë furnizim. Nëse burimi është toka, atëherë duhet të ruajmë reaksionin e tokës, duke e mbrojtur nga acidifikimi. Për shembull, kalciumi është një element i rëndësishëm, pasi jo vetëm ushqen tokën, por ndihmon në neutralizimin e aciditetit të saj.
Kjo është ngarkesa e pestë me speca që asgjësohet nga Kroacia brenda muajit shtator. Katër rastet e mëparshme kanë rezultuar me prani të lartë të substancave të rrezikshme.
Alarmi për specat vjen nga laboratorët dhe autoritetet e huaja, ndërsa deri më tani, , AKU nuk ka bërë një njoftim publik për konsumatorët shqiptarë lidhur me cilësinë dhe sigurinë e specave që tregtohen në vend.
