Autoritetet kroate kanë ndaluar hyrjen e një sasie prej 5,562 kilogramësh pjeshkë të importuara nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike treguan nivel të lartë të nikelit, përtej kufijve të lejuar për konsum.
Rasti është bërë publik më 22 gusht 2025, përmes Sistemit të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF) të Bashkimit Europian.
Pas njoftimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shqipëri nisi hetimet dhe bëri me dije se frutat nuk ishin shpërndarë në tregun vendas, por kishin qenë të destinuara vetëm për eksport.
Sipas autoriteteve kroate, ngarkesa me pjeshkë është asgjësuar, ndërsa nga pala shqiptare është paralajmëruar ndjekja e mëtejshme e rastit dhe marrja e masave përkatëse.
AKU ka theksuar se po punon për të identifikuar burimin e produktit dhe për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.
Njoftim për konsumatorin nga RASFF
Më datë 22.08.2025, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF, në kategorinë Njoftim për refuzim në kufi me numër reference 2025.6367 me temë: “Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria”, të njoftuar nga Kroacia.
Nga analizat e kryera në shtetin kroat, është konstatuar prania Nikel mbi normën e lejuar. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier. U krye inspektim në OBU eksportues, ku rezultoi se nuk ka gjendje të produktit në magazinat e tij.
Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas.
Sasia prej 5562 kg pjeshkë janë dërguar drejt Kroacisë, ku dhe janë asgjëuar pas rezultatit të analizës laboratorike. Rasti iu referua dhe AKVMB për masa të mëtejshme. AKU ka bërë edhe njoftimin përkatës mbi rezultatet e verifikimeve në kategorinë e njoftimeve RASFF.