Autoritetet kroate kanë bllokuar dy ngarkesa me produkte bujqësore nga Shqipëria, një me fiq të thatë dhe një tjetër me speca të kuq, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar nivele të larta aflatoksinash dhe mbetje pesticidesh mbi kufijtë e lejuar.
Sipas të dhënave të publikuara më 26 tetor në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF), fiqtë e thatë shqiptarë kanë rezultuar me 47,5 mikrogramë aflatoksina totale për kilogram, kundrejt kufirit maksimal prej 10 mikrogramësh.
Po ashtu, është konstatuar prania e aflatoksinës B1, një toksinë e prodhuar nga myku dhe e njohur për vetitë kancerogjene. Përqendrimi i saj ka arritur në 36,9 mikrogramë për kilogram, mbi kufirin e lejuar prej 6 mikrogramësh. Për shkak të këtyre rezultateve, autoritetet kanë vendosur asgjësimin e ngarkesës me fiq të thatë.
Probleme janë konstatuar edhe te një ngarkesë me speca të kuq, ku analizat kanë zbuluar mbetje të pesticidit chlorfenapyr në nivelin 0,052 miligramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0,01 miligramë. Të dyja rastet janë evidentuar gjatë kontrolleve kufitare në Kroaci dhe janë raportuar në sistemin RASFF.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka dhënë ende një sqarim publik mbi verifikimet e kryera në Shqipëri dhe masat e mundshme ndaj subjekteve përgjegjëse. Gjithashtu, nuk ka informacion të qartë mbi masat e marra për ngarkesën me speca. Rastet ngrenë pikëpyetje mbi kontrollet e sigurisë ushqimore dhe garancitë që kanë konsumatorët për produktet bujqësore që tregtohen në tregun vendas.
