Një tjetër ngarkesë me produkte shqiptare është ndaluar në kufi nga shteti kroat për shkak të prezencës së një toksine helmuese.

Sistemi Evropian RASFF ka njoftuar se ngarkesa me ‘pastën e fistikëve’ apo gjalpë stikash nga Shqipëria është ndaluar në kufi për shkak të prezencës së lartë të Aflatoksinës. Mostrat për këtë ngarkesë janë marrë nga autoritetet kroate më 8 shtator, dhe pasi ngarkesa ka rezultuar me prezencë të lartë të toksinës është asgjësuar atje.

Njoftimi në sistemin evropian është bërë më 3 tetor, në mënyrë që edhe shtete të tjera që kanë marrë këtë produkt, të bllokojnë tregtimin dhe përdorimin e tij. Më 1 tetor Kroacia ktheu një ngarkesë me speca djegës pasi rezultoi me normë të lartë pesticidesh. Sipas njoftimit 3 lloje pesticidesh ishin mbi normë përfshirë Flonicamidi, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad.