Korrupsioni
Mori para ryshfet nga gjiganti hungarez për të shitur kompaninë kroate të naftës
Një gjykatë në Kroaci dënoi ish-kryeministrin Ivo Sanader me dhjetë vjet burg për mitëmarrje, në një çështje gjyqësore të ndjekur nga afër nga Bashkimi Europian. Sanader ishte Kryeministër mes viteve 2003 dhe 2009. Ai u dënua se ka marrë miliona dollarë ryshfete nga një kompani hungareze e energjisë dhe nga një bankë austriake. Sanader ka mohuar përgjegjësinë gjatë gjyqit.
Kroacia, e cila shpreson të anëtarësohet në BE në korrikun e vitit të ardhshëm, është nën presion për të luftuar korrupsionin. Korrespondentët thonë se BE-ja ka marrë një linjë më të ashpër me shtetin ballkanik nga sa kishte me Rumaninë e Bullgarinë, të cilat u lejuan të anëtarësohen, pavarësisht problemeve të mëdha me korrupsionin.
Sanader, 59 vjeç, është zyrtari më i lartë i dënuar ndonjëherë në Kroaci. Ai u shpall fajtor për marrjen e një ryshfeti prej 5 milionë eurosh nga kompania hungareze MOL, të cilës i shiti kompaninë kroate shtetërore të naftës, INA. Në rast se vendimi i djeshëm qëndron edhe në apel, Kroacia mund të rishikojë marrëveshjen për shitjen e kompanisë, njofton “Reuters”.
Në vitin 1995, kur Sanader ishte zëvendësministër i Jashtëm, ai mori 695 mijë dollarë ryshfet për një marrëveshje kredie me grupin bankar “Hypo Alpe Adria”, bankë austriake që pas kësaj fitoi një pozicion dominues në tregun e Kroacisë. Në atë kohë Kroacia ishte ende duke luftuar për pavarësi nga Jugosllavia dhe kishte telashe në gjetjen e kredive në tregun ndërkombëtar.
Prokurorët e përshkruan veprimin e Sanader si “përfitim nga lufta”. Sanader argumentoi se gjyqi ndaj tij ishte i motivuar politikisht. Ai është gjithashtu duke u gjykuar në një rast tjetër për krijimin e kompanive fantazmë për financimin e partisë së tij konservatore Bashkimi Demokratik i Kroacisë, (HDZ), në një skemë që merrte fitimet nga kompanitë shtetërore apo manipulonte fondet publike. HDZ e sundoi Kroacinë në këtë mënyrë për tetë vite deri sa u mposht në zgjedhje në dhjetor 2011.
“Lufta ofroi kushtet ideale për qëllimet e tua kriminale”, i tha gjykatësi, Sanaderit, i cili u shfaq në gjykatë pa emocione.
Aksionet e kompanisë MOL në Budapest ranë 3 për qind pas dhënies së vendimit në Kroaci dhe frikës se marrëveshja për blerjen e INA mund të rishikohet. MOL mohon kategorikisht të ketë paguar ryshfetin e majmë për të blerë kompaninë kroate.
“Ky vendim me siguri që do të mikpritet në BE dhe do të vendosë një standard të ri për vendet kandidate për anëtarësim”, tha Deazen Rajkoviç, autor i librit “Si e vodhi Sanader Kroacinë”.
I njohur për veshje elegante dhe ora të shtrenjta, rënia e tij nga pushteti drejt e në burg përkon me fushatën e Kroacisë për të çrrënjosur korrupsionin.
Sanader dha dorëheqjen në korrik 2009, papritur dhe pa shpjegime. Jadranka Kosor, pasardhësja e zgjedhur prej tij, filloi një fushatë kudër korrupsionit që e ndihmoi Kroacinë të përmbyllë bisedimet e anëtarësimit me BE-në në qershor 2011.
Sanader është ish-kryeministri i dytë në Ballkan që dënohet për korrupsion gjatë viteve të fundit. Më herët, Adrian Nastase i Rumanisë u dënua me dy vjet burg.
Kroacia doli nga ish-Jugosllavia si një shtet kleptokratik, ku udhëheqësit politikë shkëmbenin interesa me të gjithë administratën shtetërore dhe përdornin ryshfetet e përfituara nga pushteti për të fituar zgjedhjet.