Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar lidhur me zjarrin masiv që përfshiu malin e Krujës, duke kundërshtuar kritikat e bëra në rrjetet sociale për mënyrën se si u menaxhua situata.

Në reagimin e tij, Braçe deklaron se zjarri dyshohet se u shkaktua nga një banor, i cili sipas tij është arrestuar nga autoritetet. Ai shton se përhapja e shpejtë e flakëve u favorizua nga kushtet e vështira atmosferike, veçanërisht erërat e forta dhe temperaturat e larta.

Sipas deputetit, në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan zjarrfikësit vendorë dhe Forcat e Armatosura, të mbështetur nga mjete tokësore, helikopterë dhe dronë.

Braçe thekson se, pavarësisht përmasave të zjarrit dhe rrezikut që iu krijua zonave të banuara, nuk pati viktima dhe as banesa të dëmtuara nga flakët.

Ai vlerëson se dëmi kryesor i shkaktuar nga zjarri është mjedisor, me sipërfaqe të konsiderueshme të bimësisë dhe pemëve të përfshira nga flakët.

Mesazhi i plotë i deputetit Erion Braçe:

He mo, pse flet për Krujën?! Se bën opozitarin ti!

Shko shih Krujën sot, sa e pastër është!

Me ato 4.2 milionë euro, zjarri do ishte shuar menjëherë!

Ky është cinizmi i Instagramit me zjarrin e Krujës!

Po e vërteta cila është?

1. Zjarrin e ndezi një banor; i arrestuar ky!

2. Zjarri u përhap nga kushtet e motit; era dhe i nxehti!

3. Zjarri u shua plotësisht nga zjarrfikësit vendorë dhe ata të Forcave të Armatosura – çdo mjet në dispozicion, përfshirë helikopterë, dronë etj.!

4. Zero dëme në njerëz; të gjithë banorët janë shëndoshë e mirë!

5. Zero dëme në banesa; nuk u dogj ndonjë banesë!

6. Dëmi mjedisor në bimësi e pemë është i madh; cilësia e ajrit sot, natyrisht, që nuk është e mirë në Krujë dhe i nxehti e përkeqëson.

Shikoni, unë pranoj çdo kritikë në rastin e zjarreve.

Por nuk pranoj dot budallallëkun, cinizmin, ligësinë!

Ka një fjalë të popullit që vjen e tillë:

Zjarrin mos e ndiz. Po e ndeze, zor se e kontrollon dot!

Kjo është e tillë, kështu, kudo: në Shqipëri, Greqi, Francë, Spanjë, Portugali, Itali, Kanada – në këtë të fundit ka një muaj e më shumë që ka veç zjarre; dje, paralelisht me Krujën, atje evakuoheshin 20 mijë njerëz, edhe pse ata kanë avionë, shumë avionë!

Sikur dje në Krujë të kishte munguar një zjarrfikës apo një zjarrfikëse, çdo gjë që ka rrjedhur në rrjet do të legjitimohej!

Por duhet kursyer çdo fjalë e rëndë kur të gjithë ishin në punë!

Dy gjëra të fundit:

E para, ligji; me ligj kemi që nga 30 marsi në 30 tetor ndalohet të ndizet zjarr për cilëndo arsye; duhet zbatuar ligji! Kaq!

E dyta, Qeveria dha dy javë të shkuara një pagë shpërblim për zjarrfikësit e përfshirë në operacionet e shuarjes së zjarreve; shumë mirë! Por ama kemi dy gjëra që duhet t’i zgjidhim: raporti mes të ardhurave, pasurive të shpëtuara dhe rrezikshmërisë së punës nuk është ende i shpërblyer sa duhet dhe në ekuilibër; ndërkohë, zjarrfikësit duhet të kenë menjëherë normën ushqimore.