Hasan Halilaj goditi Muhamet Dalaçin në Gjykatën e Tiranës, në një seancë gjyqësore


Pasi është shoqëruar në spital ku ka marrë mjekimet e para, Dalaçi ka bërë denoncimin në Komisariatin numër 2 në kryeqytet


Muhamet Dalaci


Një tjetër ngjarje e paprecedentë regjistrohet brenda zyrave ku presupozohet të jepet drejtësi. Kryebashkiaku i qytetit të Kukësit, Hasan Halilaj, ka goditur me karrige, brenda ambienteve të Gjykatës së Tiranës, një person që e kishte paditur për pronësi intelektuale. Akti i dhunës ka ndodhur në sytë e gjyqtares Rezarta Vigani, e cila ka mbetur e shtangur nga veprimi i një të zgjedhuri të popullit. Pas goditjes, Halilaj është larguar nga dera kryesore e gjykatës, megjithëse në godinë ndodhet një patrullë policie. I dëmtuari Muhamet Dalaçi është shoqëruar fillimisht në poliklinikë, ndërsa pas mjekimit të marrë, ka bërë denoncim në Komisariatin e Policisë Nr.2.


 


Goditja me karrige


Në zyrën e gjyqtares Rezarta Vigani po zhvillohej një proces gjyqësor civil, ku pala e paditur ishte Dalaçi, ndërsa të paditur ishin Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Kukësit. Dje, rreth orës 13:30, Dalaçi po lexonte një material të shkruar dhe i ulur në një karrige ishte dhe kryebashkiaku Halilaj. Mes tyre fillon një debat verbal, ku të dy shkëmbejnë fjalë ofenduese në sytë e gjyqtares Vigani. Me gjithë ndërhyrjen e gjyqtares, e cila është ëkrcënuar, Halilaj është ngritur nga karrigia, duke e marrë në dorë, duke ia drejtuar paditësit. Me veprime të shpejta, ai e ka qëlluar në kokë, ku njëra këmbëz e ka goditur në ballë. Për shkak të këtij veprimi, Dalaçi ka pasur hemorragji dhe është dashur ndërhyrja e sekretares dhe e vetë gjyqtares për ta ndalur gjakderdhjen. Me mjete rrethanore, paditësi ka fashuar kokën. Ndërkohë, paralelisht me këto veprime, agresori është larguar me shpejtësi, ku e priste edhe automjeti poshtë gjykatës. Ai ka dalë nga zyra e gjyqtares Vigani në katin e tretë të gjykatës, ka zbritur me shpejtësi shkallët dhe është larguar, pa pritur më parë që të sqaroheshin të gjitha rrethanat. Mësohet se Halilaj nuk është shoqëruar në komisariat, megjithëse gjykata njoftoi policinë për këtë veprim. Një patrullë policie shkoi në zyrë dhe mori versionin e ngjarjes nga gjyqtarja dhe sekretarja, ndërsa kanë kontrolluar edhe për personin që kishte kryer këtë goditje. Në mungesë të pyetjes së Halilajt, punonjësit e policisë kanë shoqëruar në komisariat të dëmtuarin, i cili ka pranuar të firmosë edhe një denoncim.


 


Denoncimi i Dalaçit


Pas ngjarjes, Muhamet Dalaçi është shoqëruar në komisariat. I fashuar në kokë për shkak të goditjes me karrige, ky person ka firmosur kallëzimin ndaj kryebashkiakut të Kukësit, duke e akuzuar për dëmtime të tjera me dashje. Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se denoncuesi ka pretenduar se është goditur me mjete të forta nga shtetasi Hasan Halilaj, me të cilin kishte një konflikt gjyqësor. Shkaku i kësaj ngjarje është bërë një padi që kishte bërë i dëmtuari ndaj Bashkisë së Kukësit. Burimet nga policia pohojnë se pas marrjes së denoncimit kanë filluar menjëherë verifikimet për këtë rast. Janë marrë në pyetje punonjësit e Gjykatës së Tiranës, ndërsa një version të ngjarjes e ka dhënë edhe sekretarja e gjyqtares Rezarta Vigani, duke shpjeguar hollësitë e goditjes. Policia, pas konstatimit të ngjarjes, mund të thërrasë për dëshmi edhe Halilajn, ndërsa pritet ekzaminimi mjekësor i Dalaçit.


 


Konflikti gjyqësor


Bashkia e Kukësit dhe Ministria e Arsimit, bashkë me Bankën Botërore, janë paditur në gjykatë nga shtetasi Muhamet Dalaçi. Sipas burimeve nga gjykata, bëhet fjalë për tenderin e zhvilluar në shkollën “Bajram Curri” në Kukës. Dalaçi kërkon që të “fitojë” pronësinë intelektuale dhe kërkon dokumentacionin e plotë nga këto institucione. s.çobo