Benet Beci, kryebashkiaku i qytetit të Shkodrës është paraqitur ditën e sotme pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

Kujtojmë se në muajin korrik, SPAK vendosi zgjatjen e afateve të hetimit ndaj kryebashkiakut të Shkodrës. Ndaj tij është regjistruar procedim penal për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, e kryer në bashkëpunim, më 23 tetor 2024.

Ndërkohë, më 23 prill 2025, prokurori Dritan Prençi e mori Benet Becin të pandehur. Akuzat lidhen me një tender me vlerë 700 mijë euro të zhvilluar në vitin 2019, me objekt një projekt kërkimor për zhvillimin strategjik të sektorit energjetik.

Bashkë me Benet Becin, nën hetim për këtë procedurë janë edhe disa zyrtarë të tjerë, të cilët kanë pasur rol në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.