Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme. Kryedemokrati ka zbatuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’, raporton për Top Channel, Anila Hoxha. Teksa i është afruar ambienteve të SPAK, ai është pritur nga mbështetësit e tij.
Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në dosjen hetimore “Partizani”.
Biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohet për “Pastrim Parash”. Më 7 korrik 2025 Jamarbër Malltezi është liruar nga arresti shtëpiak. Në seancë, Gjykata e Posaçme vendosi që Malltezi të lirohej nga arresti shtëpiak, në kërkim të garancisë pasurore, pas 20 muajsh që mbahej në këtë masë. Garancia pasurore që GJKKO ka kërkuar është 3 milion lekë.
