Monika Kryemadhi ka dënuar publikimin dhe shpërndarjen e videove intime që prej disa ditësh po qarkullojnë në internet dhe që pretendohet se përfshijnë disa personazhe të njohura të ekranit shqiptar.
E pyetur nga gazetarët rreth materialeve, Kryemadhi konfirmoi se i kishte parë ato, ndërsa e zhvendosi vëmendjen te cenimi i privatësisë së grave dhe vajzave që shfaqen në pamje.
Sipas saj, përgjegjësi duhet të mbajnë si personi që ka realizuar regjistrimet, nëse ato janë bërë pa dijeninë e personave të përfshirë, ashtu edhe ata që kanë publikuar apo shpërndarë materialet.
Kryemadhi e cilësoi veprimin si të papranueshëm, duke argumentuar se jeta intime e çdo individi duhet të mbetet private dhe nuk duhet të shndërrohet në objekt gjykimi publik.
“Po, i kam parë. Ajo që më ka lënë një ndjesi shumë të keqe është ajo që u është bërë viktimave, grave apo vajzave, kushdo qofshin ato”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se realizimi dhe më pas shpërndarja e materialeve të tilla përbën, sipas saj, një veprim që duhet ndëshkuar.
“Nuk ka pse t’i interesojë askujt se çfarë bën një person në dhomën e tij të gjumit apo në jetën e tij private”, deklaroi ajo.
Kryemadhi kritikoi gjithashtu mënyrën se si materiale të tilla kthehen në objekt të një debati masiv dhe përdoren për të gjykuar jetën personale të individëve.
Sipas saj, reagimi i madh shoqëror ndaj videove intime duhet parë në kontrast me vëmendjen që u kushtohet problemeve të tjera të vendit. Ajo përmendi taksat, largimin e të rinjve dhe shpopullimin e Shqipërisë si çështje që, sipas saj, duhet të prodhojnë një shqetësim shumë më të madh publik.
Në përfundim, Kryemadhi shprehu keqardhje për personat e ekspozuar në këto materiale dhe tha se ndiente “neveri” ndaj atyre që, sipas saj, janë përgjegjës për regjistrimin dhe shpërndarjen e tyre.
