Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar do të mbërrijë këtë të enjte në Tiranë, në prag të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që do të mbahet të premten në kryeqytetin shqiptar.
Vizita e tij konsiderohet një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Britanisë, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit për ndalimin e emigracionit të paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
Sipas qeverisë britanike, gjatë qëndrimit në Tiranë, kryeministri do të shpallë masa të reja për goditjen e rrjeteve kriminale që merren me trafikimin e emigrantëve dhe për frenimin e emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë.
Në Samitin e së premtes, udhëheqësit evropianë do të zhvillojnë një seancë plenare mbi sigurinë dhe të ardhmen e përbashkët të Evropës, e ndjekur nga tre tryeza të rrumbullakëta që do të fokusohen në: sigurinë demokratike të kontinentit, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, si dhe sfidat e lëvizshmërisë dhe fuqizimin e të rinjve.
