Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet i izoluar politikisht dhe se, sipas tij, askush nuk bashkëpunon më me të.
Në një prononcim për mediat, Salianji e cilësoi situatën e kryeministrit si “Dimrin e Vetmisë së Madhe”, duke pretenduar se revolta qytetare e ka zhveshur Ramën nga legjitimiteti.
“Qytetarët po bëjnë që Rama të jetë në Dimrin e Vetmisë së Madhe, të jetë i përçarë brenda babëzisë dhe tanimë i përçmuar nga ndërkombëtarët. Revolta e ka zhveshur Ramën nga legjitimiteti. Populli nuk e duron më Ramën si kryeministër. Do të përfundojë në koshin e historisë, si njeri që po ia merr frymën shoqërisë”, u shpreh Salianji.
Ai kritikoi gjithashtu reagimin e Policisë së Shtetit gjatë protestave, duke e cilësuar përdorimin e forcës si joproporcional.
Salianji komentoi edhe marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke pretenduar se të dy mbrojnë njëri-tjetrin dhe veprojnë kundër interesave të qytetarëve.
“Këtu kemi Sali Berishën dhe Edi Ramën që mbrojnë njëri-tjetrin. Edi Rama ikën vetëm me revoltë. Vetëm me revoltë dhe protesta ikën Rama. Kemi dy autokratë, një në qeveri dhe një në opozitë”, deklaroi ai.
Kritika për shpërblimet ndaj policisë
Ish-deputeti u ndal edhe te vendimi për shpërblimin e efektivëve të policisë, duke akuzuar Ramën se ka përmirësuar trajtimin e tyre vetëm në momentin kur i nevojitet mbështetja e tyre.
“Edi Rama e ka trajtuar si mos më keq Policinë e Shtetit. Sot, që po i rrezikohet karrigia, jep shpërblim. Jep shpërblime vetëm për interesat e veta”, tha Salianji.
Në përfundim, ai shprehu bindjen se protestat dhe ndërgjegjësimi qytetar do të sjellin ndryshime politike, duke pretenduar se kryeministri po humbet mbështetjen dhe kontrollin mbi situatën.
