Avioni që transportonte kryeministrin spanjoll, Pedro Sánchez, kreu një ulje emergjente në Ankara mbrëmjen e djeshme për shkak të një problemi teknik gjatë fluturimit.
Për këtë u diskutua edhe në studion e Breaking në Top News, ku gazetari Sokol Brahaj hodhi dyshime të forta se Sanchez i është frikësuar ndonjë atentati të mundshëm nga Greqia ose Izraeli.
“Lëvizjet dhe deklaratat e fundit të Pedro Sanchez që bien në kundërshtim me Amerikën dhe Izraelin duke i dënuar këta të fundit për gjenocid, ka bërë që të mos ndihet i sigurtë për jetën në Greqi e Qipro. Një frikë e mundshme që mund të eliminohet nga izraelitët dhe grekët, ka fjetur në Ankara, për të kaluar më pas në Jerenvan ku janë mbledhur dhe të gjithë liderët,” u shpreh ai.
Sánchez po udhëtonte nga Madridi drejt Jerevanit, kryeqytetit të Armenisë, ku pritej të merrte pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian.
Sipas agjencisë shtetërore spanjolle EFE, avioni zyrtar tip Airbus A310 u detyrua të ulej në kryeqytetin turk pasi gjatë fluturimit u evidentua një problem teknik.
Raportohet se defekti nuk ishte serioz, por ulja emergjente u realizua në përputhje me protokollet e sigurisë. Kryeministri spanjoll pritet të kalojë natën në Ankara dhe të vijojë udhëtimin drejt Jerevanit gjatë ditës së sotme.
Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që Sánchez përballet me probleme teknike gjatë udhëtimeve ajrore. Më 4 shtator, një avion tip Falcon që e transportonte u detyrua të kthehej në Madrid në mes të fluturimit për shkak të një defekti teknik.
Si pasojë e atij incidenti, ai nuk mundi të merrte pjesë fizikisht në një takim për Ukrainën në Paris dhe iu bashkua diskutimeve përmes lidhjes online.
