Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të zhvillojë të martën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku do të pritet nga Kryeministri Edi Rama.

Vizita e Costës vjen në kuadër të turit të tij diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm pak ditë para zhvillimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, i planifikuar më 5 qershor në Tivat.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacionet e të dy palëve do të zhvillojnë një takim bilateral, ku pritet të diskutohen procesi i integrimit europian, bashkëpunimi rajonal dhe prioritetet e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Pas takimit, Rama dhe Costa do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të japin mesazhe mbi ecurinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe institucioneve europiane.

Samiti i Tivatit zhvillohet gjashtë muaj pas takimit të fundit në Bruksel dhe konsiderohet një moment i rëndësishëm për avancimin e dialogut mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.