100-vjetori
Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit deklaroi se himni shqiptar do të zyrtarizohej në formën e tij të plotë, e cila është censuruar gjatë kohës së komunizmit. Kështu himnit zyrtar të vendit të shkruar nga Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni) do t’i shtohet dhe strofa, e cila përmend Zotin dhe besimin që kanë shqiptarët tek ai. “Himni shqiptar duhet të kthehet në formën e tij të plotë, apeli i shqiptarit te Zoti është apeli më i drejtë, sepse Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë, sepse dashuria për kombin dhe vendin buron nga besimi te zoti. Duhet të shihen modalitetet që lejojnë kthimin e kësaj strofe të përzënë nga linja ateiste dhe të bisedohet edhe me Akademinë e Shkencave, Institutin dhe kompozitorë. Himni mendoj se duhet të kthehet në variantin e tij të plotë ashtu siç e shkroi rilindësi i madh, Aleksandër Drenova”, deklaroi Berisha në mbledhjen e radhës të këtij komiteti.