Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, zhvilloi sot një takim me homologun e tij serb, Mlladen Nenadiç, drejtues i Prokurorisë për Krimin e Organizuar të Serbisë, me fokus të veçantë në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër veprimtarive kriminale transnacionale.
Në qendër të diskutimeve ishin mekanizmat efikasë të bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshirë Eurojust, krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore dhe zhvillimin e hetimeve paralele, si mënyrë për të rritur efektivitetin në ndjekjen penale të veprave kriminale që prekin të dy vendet.
Një tjetër pikë kyçe e takimit ishte bashkëpunimi në kuadër të Projektit për Drejtësinë Penale në Ballkanin Perëndimor, i cili mbështetet nga Eurojust dhe synon të përforcojë reagimin rajonal ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për thellimin e koordinimit në luftën kundër krimit ndërkufitar, në një kohë kur rrjetet kriminale po veprojnë me shtrirje gjithnjë e më të gjerë në rajon dhe përtej tij.
