Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit në burg ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social “X”, Rama ka shprehur kritika lidhur me vijimin e qëndrimit të Veliajt në qeli, duke e konsideruar situatën të pazakontë dhe të paprecedentë.

Kreu i qeverisë ka ngritur gjithashtu shqetësimin për pasojat që, sipas tij, po shkakton mungesa e Veliajt në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka vënë në pikëpyetje zgjatjen e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut.

“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!

Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.

Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:

Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, shkruan Rama.