Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK. Mësohet se Sefa u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK për hetimin ndaj deputetit socialist, Bujar Çela.
Deputeti Çela është në hetim, pas shpërthimit në magazinën e tij në Lushnjë, ku dy persona ndërruan jetë. Vetë deputeti deri më tani nuk është proceduar ndonëse u konstatuan shkelje duke nisur që nga “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelje e rregullave në punë” .
Nga shpërthimi humbën jetën Roland dhe Elidon Hoxha babë e bir, që e kishin ditën e parë të punës dhe të paregjistruar si punëmarrës në instancat përkatëse, ndërsa mbetën të plagosur 7 të tjerë.
Pas kalimit për kompetencë tek SPAK i dosjes hetimore, Prokuroria e Posaçme kërkoi në GJKKO rivlerësim të masave që kishte caktuar Gjykata e Fierit. Shumica e personave që u është ngritur akuza janë pa masë sigurie, përveç asaj të pezullimit nga detyra, ndërsa i vetmi që u arrestua ishte Leonard Gjini, kompania e të cilit kishte marrë përsipër punimet.
Edhe ky i fundit qëndroi në qeli vetëm 2 ditë, duke u liruar pa asnjë masë, teksa GJKKO tha se mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.



