Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në eventin “Shqipëria Turistike 2030”, ku ka ndarë vlerësime pozitive për rritjen e numrit të vizitorëve në vend, por ka theksuar se faza e ardhshme e zhvillimit turistik nuk ka të bëjë më me shifrat, por me cilësinë e përvojës që Shqipëria u ofron turistëve.

Në fjalën e tij, Rama tha se prioritet nuk është më vetëm rritja e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, por përmirësimi i standardeve, duke u ndalur veçanërisht te mënyra si menaxhohen plazhet. Ai theksoi se nuk do të tolerohen më abuzimet që dëmtojnë përvojën e vizitorëve dhe kërkoi angazhim të institucioneve për të monitoruar më nga afër shërbimet turistike dhe për të ndëshkuar rastet e mashtrimit apo keqtrajtimit të pushuesve.

Edi Rama: Kemi standarde të tjera sot në turizëm, krahasimisht me nga jemi nisur. Këtu kam parasysh operatorët turistikë të certifikuar, udhërrëfyesit turistikë të certifikuar që sot janë gati 1000, s’kishim asnjë, strukturat akomoduese etj. Kam parasysh edhe sistemin e administrimit të plazheve, shërbimit shëndetësor, shërbimit policor në një sezon ku kemi pasur 0 ngjarje të rënda kriminale apo ku kemi pasur gati 79 mijë vizita në qendrat e posaçme që hapen për sezonin. Por nuk duhet të na interesojë shumë krahasimi me më parë, sepse kemi probleme dhe sfida që nuk presin për tu adresuar.

Po e nis me plazhet e dhunuara, Ksamili është plazh i dhunuar. Edhe një sërë plazhesh të tjera. Nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shohim si një tokë për t’u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë me turistët si të ishin skllevër që mund të hapin dhe shkopin e çadrës në kojkë apo të venë çmime që lëndojnë imazhin e turizmit shqiptar. Në tërësi, duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka më arsye që Ksamili të jetë plazh privat. I lidhur me çmime marramendëse. Dhërmiu s’ka pse të ketë më subjekte që vijnë nga vende të tjera që çmendin dynjanë me muzikën dhe derdhin ujërat e zeza në det. Kryebashkiaku i Himarës e ka dhënë një shembull me çadrat e loguara të bashkisë dhe me një shërbim të pastër, pa salltanete, por pa asnjë stres.