Rinas


Ai dyshohet për ekzekutimin e babait të vrasësve të djalit të tij, por nuk ka prova


Arrestimi i tij u mbajt i fshehtë për tri ditë, me qëllim dokumentimin e vrasjes së Shkretës


Babai i 9-vjeçarit të vrarë në Mamurras, i cili dyshohet se mori hak duke ekzekutuar babanë e dy autorëve, është arrestuar në Rinas, teksa kthehej nga Italia. Policia e Tiranës tha se Jetmir Llanaj është arrestuar për llogari të Policisë së Krujës nën akuzat “armëmbajtje pa leje” dhe “goditje për shkak të detyrës”, por ai rezulton dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e Mark Shkretës në rrugën “Hoxha Tahsim” në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 19 korrik të këtij viti. 71-vjeçari ishte babai i dy autorëve Olgert dhe Mariglen Shkreta, të cilët vranë më 5 qershor 9-vjeçarin dhe plagosën vëllain e autorit nga Mamurrasi, gjatë një atentati, duke bërë që dy familjet të hynë në hasmëri.


Policia e ka mbajtur të fshehtë informacionin për tri ditë për arrestimin e Jetmir Llanajt, me qëllim që të dokumentohej vrasja në kryeqytet, por Llanaj nuk e ka pranuar një krim të tillë, duke pretenduar se ka qenë jashtë Shqipërisë, ku ka paraqitur edhe prova shkresore. Llanaj mësohet se vinte me linjat ajrore nga Italia, kur ka rezultuar në kërkim në sistemin TIMS të policisë kufitare në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Vetë Llanaj ka mohuar të ketë qenë në Shqipëri në kohën kur ndodhi vrasja e Shkretës, duke paraqitur si provë edhe kalimin e tij në pikën kufitare për në Greqi më 14 korrik, ndërsa policia ka rrëzuar këto pretendime, duke hedhur dyshimet në hyrjen e tij në mënyrë klandestine, megjithëse nuk i ka dokumentuar këto dyshime.


Policia e ka lidhur vrasjen e Shkretës me ngjarjen e 5 qershorit në Kurbin, kur gjatë një prite për vrasjen e Muharrem Llanajt, vëllai i Jetmirit, mbeti i vrarë djali i këtij të fundit, Endri 10-vjeçar. Për ngjarjen, policia arrestoi Vladimir dhe Altin Shkretën, me emrat e ndryshuar në Olgert dhe Mariglen Shkreta. Këta janë djemtë e Mark Shkretës dhe vrasja e këtij të fundit dyshohet se është kryer nga Jetmiri për hakmarrje. Shkreta kishte marrë një banesë në Tiranë, ku fshihej që pas vrasjes së 9-vjeçarit dhe u vra në orët e mëngjesit, sapo kishte dalë në rrugë. Ai mendohet se është ndjekur nga vrasësi dhe u vra në trotuar, pa praninë e asnjë dëshmitari. Por ngjarjet nuk përfunduan këtu. Më 5 gusht u hodh në erë me eksploziv banesa e Mark Shkretës në Shpërdhet të Kurbinit. Një makinë me eksploziv ishte parkuar para banesës dhe pas disa orësh ajo u hodh në erë. Për vrasjen në Tiranë, Llanaj reagoi nga Greqia, duke deklaruar se ai ndodhej në një nga qytetet helene për kurimin e vëllait, i cili mbeti i plagosur, kur iu vra i biri. Red. Akt.