Policia e Vlorës ka goditur një rast të shpërndarjes së drogës, duke arrestuar një 53-vjeçar dhe duke vënë nën hetim dy bashkëpunëtorët e tij.
53-vjeçari, banues në Maqedoninë e Veriut, kishte marrë me qira një banesë në lagjen “10 Korriku”, të cilën e përdorte për të fshehur dhe ndarë drogën në doza për shitje.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti kokainë dhe cannabis, një peshore elektronike dhe tre telefona.
Dy të rinj, një nga Vlora dhe një nga Berati, dyshohet se bashkëpunonin me të dhe janë nën hetim.
“Zbulohet banesa që kishte marrë me qira 53-vjeçari, në lagjen “10 Korriku”, për të fshehur lëndën narkotike dhe për ta përgatitur për shitje. Sekuestrohen nga banesa, sasi Kokaine dhe Cannabis sativa, 1 peshore elektronike, si dhe 3 celularë.
Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, pasi kanë siguruar informacion për një rast të shitjes së lëndëve narkotike në qytetin e Vlorës, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u identifikuan 3 shtetas që bashkëpunonin për këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve për rastin:
-u arrestua në flagrancë shtetasi B. L., 53 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut;
-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. I., 31 vjeç, banues në Vlorë dhe K. A., 27 vjeç, banues në Berat.
Shtetasi maqedonas B. L. dyshohet se kishte përshtatur banesën e tij me qira, në lagjen “10 Korriku”, për fshehjen dhe përgatitjen e lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në sasi të vogla për shitje.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, ku u kapën dhe 2 shtetasit e tjerë, u gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, 1 peshore elektronike dhe 3 celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
