Autoritetet italiane kanë arrestruar një 52-vjeçar shqiptar, me precedent penal për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin e tyre. Ai u arrestua sërish për posedim të lëndëve narkotike, pasi kishte kthyer në laborator heroine një banjo në një pallat në Milano.

Gjatë kontrollit, policia italiane gjeti dhe sekuestroi dy kilogramë e gjysmë heroinë, të cilën ai e mbante të fshehur në banjon e papërdorur të një apartamenti. Fillimisht policia zbuloi një objekt për paketimin dhe ruajtjen e drogës në një ndërtesë në Via San Dionigi. Më pas oficerët e ndoqën 52-vjeçarin shqiptar deri në Via San Dionigi, ku ai hyri në një ndërtesë ku nuk banonte duke përdorur një hyrje të pasme.

Oficerët e ndaluan në shkallët e pallatit dhe hynë për kontroll në apartamentin e pabanuar. Në tavolinat e punës u gjetën rreth 2.5 kilogramë heroinë, mbi 5 kilogramë substanca përzierëse, peshore precize, materiale paketimi dhe pajisje që përdoren për presimin e drogës para shpërndarjes në treg. Ndërsa, brenda një elektroshtëpiakeje të vjetër dhe jashtë funksionit, efektivët gjetën edhe 1.5 kilogram tjetër heroinë, mbi 100 gram kokainë, hashash dhe kartëmonedha false.