Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë, ka reaguar pas ngjarjes së sotme, ku një 61-vjeçar ka kërcënuar me jetë drejtuesin e institucionit, Klajdi Meçi. IMT ka dënuar çdo akt kërcënimi apo presioni ndaj punonjësve gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa sqaron se IMT vepron në zbatim vendimeve ligjore në fuqi.
“Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dënon çdo akt kërcënimi apo presioni ndaj punonjësve gjatë ushtrimit të detyrës. Në lidhje me ngjarjen e sotme, ku u kërcënua z. Klajdi Meçi, sqarojmë se IMT vepron në zbatim të ligjit dhe të vendimeve ligjore në fuqi. IMT do të vijojë me profesionalizëm dhe integritet në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve, pa u ndalur përballë zaptimit të hapësirave publike, deri në lirimin e çdo hapësire që u përket qytetarëve”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se 61-vjeçari Leonard Nikolli është shoqëruar nga policia pasi Klajdi Meçi ka bërë edhe kallëzimin në polici duke pretenduar se Nikolli e ka kërcënuar se do ta vriste dhe se kishte armë. 61-vjeçari mësohet se ka thënë sapo ka hyrë në institucion: “jam i armatosur, ku është drejtori se do e vras?”.