Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën, teksa PS-ja ka nisur fushatën për zgjedhjet vendore të 2027. Gjatë një takimi me simpatizantë, Rama tha se opozita po fle gjumë e po ashtu se janë të shpërndarë nëpër kafene.

“Prandaj ky proces që kemi filluar, sigurisht që lidhet me fillimin e punës për zgjedhjet e ardhshme, se ne këtë punë kemi bërë gjithmonë. E kemi filluar gjithmonë përpara. Ata ku janë tani? Ja tani, në këtë orë që po flasim ne, ku janë ata? Mos janë duke fjetur gjumë se Luli po, po ata të tjerët ku janë? Janë nëpër kafe, janë në shtëpi, janë duke bërë… Me siguri nuk janë duke bërë një takim tani se si do të organizohemi ne për…

Po kjo nuk është sot. Kjo është çdo ditë, çdo pasdite. Prandaj pastaj thonë: ‘Jo, po patronazhistët.’ Po çfarë janë patronazhistët? Ja, ju jeni patronazhistë. Kush janë patronazhistë? Suksesin nuk na e fal njeri.

Tani, mua më vjen shumë mirë që nuk ika nga kjo detyrë pa arritur ditën që të fillojmë rritjen sistematike të pensioneve. Mirëpo nuk është diçka që nuk e dinim apo nuk donim ta bënim, por nuk e bënim dot. Dhe ju e dini shumë mirë, se më keni ndjekur dhe jemi takuar edhe herë të tjera përpara, që kur pyesnit: ‘Ore, si do bëhet me pensionet?’, unë thosha një gjë që ishte e vërteta: Nuk i kemi mundësitë ta bëjmë sot. Duhet të rrisim ekonominë. Duhet të rrisim mundësitë që të kemi mundësi të paguajmë pensionet, se nuk mund të bëjmë aventura”, tha Rama.