Avokati Maks Haxhiaj ka reaguar fuqishëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi klientin e tij, Ergys Agasin, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje të tij në tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas avokatit, akuzat që janë ngritur ndaj Agasit janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë provë konkrete.
Haxhiaj e ka cilësuar hetimin si “absurd”, duke theksuar se klienti i tij nuk ka pasur kurrë një funksion publik apo ndonjë pushtet vendimmarrës që mund ta lidhte me shkelje të barazisë në tendera apo me pengimin e pjesëmarrjes së subjekteve të tjera në to. Avokati ka insistuar se nuk ka asnjë element që mund të provonte përfshirjen e Agasit në aktivitete të paligjshme në lidhje me tenderat e AKSHI-t.
“Po flitet për vepra penale që i atribuohen një personi pa asnjë rol institucional. Ergys Agasi nuk ka pasur dhe nuk ka lidhje me tenderat e AKSHI. Ai ka përfunduar angazhimet e tij dhe nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore në këtë proces”, u shpreh avokati.
“Në momentin që nuk ekziston asnjë provë materiale për akuzat e ngritura, vetëm dikush që nuk i vlerëson pasojat do të paraqitej. Aktualisht nuk kam komunikim të drejtpërdrejtë me Agasin, por vetëm me familjarët e tij”, përfundoi ai.
Agasi është nën hetim nga SPAK për tenderat e drejtuara nga AKSHI dhe ndaj tij ka një masë sigurie në mungesë.
Në këtë hetim, veç shefes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karçanaj dhe zëvendëses së saj Hava Delibashi që mbahen nën arrest shtëpie, 3 biznesmenëve u ndalohet të dalin jashtë vendit, ndërsa një oficer policie vazhdon i pezulluar nga detyra.
