Ndërsa vala e zjarreve vijon të përhapet në disa zona të vendit, mungesa e pajisjeve dhe infrastrukturës e vështirëson më shumë punën për zjarrfikësit.
Pavarësisht se fondet janë akumuluar, duket se bashkitë nuk i kanë investuar aspak aty ku duhet. Drejtori i përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara, gjatë një takimi në Kukës me grupin e punës për monitorimin dhe menaxhimin e emergjencave civile, theksoi se shumë bashki nuk kanë krijuar kushtet e nevojshme infrastrukturore për forcat operacionale në terren, duke vështirësuar ndërhyrjen në kohë ndaj zjarreve.
“Strukturat e MZSH-së po përballen me probleme për sa i përket infrastrukturës. Po shohim reagim jo shumë të volitshëm nga ana e kryetarëve të bashkisë. Çdo vit, në maj, dërgojmë shkresa për zbatim të ligjeve të vitit 2015; 139 dhe 152. Lind e drejta që çdo kryetar bashkie të merret me infrastrukturën për krijimin e kushteve që forcat operacionale të ndërhyjnë në një operacion zjarri, aksidente rrugore, përmbytje. Ka mangësi të theksuar në këtë drejtim dhe jo vetëm, por edhe në kompletimin me pajisje sa i përket zjarrfikësve.”, tha ai.
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është edhe mungesa e pajisjeve dhe uniformave për zjarrfikësit.
“Uniforma jo vetëm që është detyrim ligjor dhe duhet bërë me zbatim të një VKM që ne e kemi dërguar kohë më parë, por përtej tjetërsimit ose bërjes së një uniforme që dikush e bën të kuqe e dikush të verdhë dhe asnjë nga zjarrfkësit nuk përfaqësojnë siç duhet shërbimin zjarrfikës dhe shtetin shqiptar dhe nuk është uniforma e duhur që ta mbrojë atë në rast fatkeqësie dhe kjo na bën të reflektojmë”, shtoi ai.



