Dy persona janë arrestuar gjatë një tentative për të ndihmuar emigrantë të paligjshëm për të kaluar kufirin. Në pranga kanë rënë shtetasit me inciale A.D dhe F.Ç.

Sipas Policisë, dy të arrestuarit u kapën pranë vijës kufitare me Greqinë, në vendin e quajtur “Pagane”, me dy automjete dyshohet se do të përdoreshin për transportimin e emigrantëve kundrejt pagesës, të cilat u sekuestruan.

Ndërkohë, siç bën me dije policia, gjashtë emigrantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, janë proceduar penalisht pasi kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni i koduar “Kufijtë”, goditet një rast i tentativës për të ndihmuar emigrantë nga Vendet e Treta, për të kaluar ilegalisht kufirin.

Arrestohen 2 shtetas që u kapën në afërsi të kufirit me Greqinë dhe tentuan të transportonin me 2 automjete, kundrejt pagesës, 6 emigrantë që synonin të kalonin në vendet e BE-së.

Procedohen penalisht 6 emigrantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin hyrë ilegalisht në territorin e Shqipërisë.

Sekuestrohen 2 automjetet më të cilat do të transportoheshin emigrantët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Kufijtë”.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. D., 50 vjeç dhe F. Ç., 59 vjeç, banues në Tiranë.

Këta 2 shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare, në vendin e quajtur “Pagane”, afër vijës kufitare me shtetin grek, me 2 automjete me të cilat do të transportonin kundrejt pagesës, 6 shtetas të huaj që synonin të kalonin ilegalisht kufirin, për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht 6 emigantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin kaluar ilegalisht kufirin tokësor me Greqinë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.