Kufizimet e vendosura për mjetet e tonazhit të rëndë në Shqipëri dhe Kosovë pritet të sjellin vështirësi për transportuesit që kalojnë përmes pikës kufitare Morinë–Vërmicë. Në Shqipëri, kufizimi i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë është vendosur prej një muaji për shkak të sezonit veror, duke ndaluar lëvizjen e tyre në orare të caktuara gjatë fundjavave. Për pasojë, shumë drejtues kamionësh planifikojnë lëvizjen për të mbërritur në kufi përpara orës 15:00 të ditës së premte, kur nis kufizimi në territorin shqiptar.
Por këtë të premte situata ndërlikohet edhe më tej, pasi edhe Kosova ka vendosur kufizime të përkohshme për mjetet e rënda për shkak të temperaturave të larta, me ndalim të qarkullimit nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Kjo përkon me orarin kur shumë kamionë që dalin nga Shqipëria synojnë të kalojnë drejt Kosovës, duke rritur mundësinë e krijimit të radhëve dhe pritjeve në Pikën Kufitare Morinë–Vërmicë. Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe më parë, kur kufizimet në Shqipëri sollën grumbullim të mjeteve të tonazhit të rëndë në kufi, me pritje të gjata dhe vonesa për transportuesit.
