Gramsh-Mat


Ndërsa lumi i Matit nxjerr në sipërfaqe një tjetër femër të humbur


Dy kufoma femrash janë gjetur në Milot e Gramsh, të cilat dyshohet se u përkasin dy grave të zhdukura disa javë më parë. Njëra prej tyre, pikërisht ajo e Gramshit, e cila i përket një 55-vjeçareje të humbur që në muajin prill, është gjetur e copëtuar, ndërsa tek tjetra nuk janë pikasur shenja dhune.


Në lidhje me rastin e parë, policia e Gramshit tha se një kufomë e seksit femër është gjetur paraditen e së martës, në malet e Komunës Kukur të Gramshit. Trupi i dekompozuar është pikasur nga një bari i zonës, i cili ka qenë duke kullotur bagëtitë në mal. Fillimisht bariu, aksidentalisht, është ndeshur me një kokë femre, pjesërisht e dekompozuar. Disa metra më tutje, ai ka gjetur pjesën tjetër të trupit dhe disa rroba, të cilat i ka marrë me vete duke pretenduar se viktima ishte banore e zonës. Burime nga policia bëjnë me dije se trupi i gjetur në pyll, i përket 55-vjeçares Luljeta Hoxha, banuese në Kukur të Gramshit. Bariu, i cili ka gjetur kufomën, ia ka dorëzuar rrobat e saj familjes Hoxha, ku këta të fundit kanë njoftuar policinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor për të nisur hetimet. Ende nuk bëhet me dije nëse Luljeta Hoxha, është vrarë apo është shqyer nga egërsirat. Paraprakisht, ekspertiza ka dalë në konkluzionin se 55-vjeçarja ka kohë që ka vdekur. Burimet e policisë, bëjnë me dije se viktima ka qenë person i shpallur në kërkim që prej datës 7 prill të këtij viti dhe që prej kësaj kohe, askush nuk kishte marrë ndonjë lajm për të. Hoxha prej kohësh vuante nga shëndeti mendor dhe në mënyrë të përsëritur, largohej nga shtëpia në drejtim të paditur. Nëna e katër fëmijëve, 3 djemve dhe 1 vajze, këtë herë nuk ka mundur që të kthehet në shtëpi.


Kufoma tjetër, e seksit femër, është gjetur mesditën e djeshme në ujërat e lumit Mat. Nga të dhënat paraprake, mësohet se trupi i pajetë i gruas u gjet rreth orës 12:30, tek “Ura e Zogut” në Milot. Policia bën me dije se gruaja mund të jetë rreth të 40-tave, por nuk mësohet nëse në trup ka shenja dhune, apo plagë të shkaktuara nga ndonjë armë zjarri. Policia e Milotit ka nisur hetimet për identifikimin e kufomës, si dhe për të zbuluar shkaqet e vdekjes së saj. Ajo mendohet se i përket një femre të zhdukur pak javë më parë në zonat e thella të Mirditës, megjithëse do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të japë përgjigjen përfundimtare. S. Muça