Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar pas raportimeve në rajon për raste të komprometimit të llogarive WhatsApp. Sipas autoritetit, në disa raste përdoruesit kanë humbur aksesin në llogaritë e tyre, ndërsa mënyra se si janë komprometuar ato po analizohet nga autoritetet përkatëse.

AKSK rekomandon aktivizimin e verifikimit me dy hapa në WhatsApp dhe thekson se kodet e verifikimit, fjalëkalimet dhe të dhënat e llogarisë nuk duhet t’i ndahen askujt. Qytetarët këshillohen gjithashtu të kontrollojnë rregullisht seksionin “Linked Devices” dhe të shkëputin çdo pajisje të panjohur.

Po ashtu, duhet shmangur klikimi mbi lidhje të dyshimta që mbërrijnë përmes SMS, WhatsApp-it apo email-it. Një tjetër paralajmërim lidhet me kodet e regjistrimit. Nëse përdoruesi merr një kod ose njoftim për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër pa e kërkuar vetë, ai nuk duhet ta ndajë kodin dhe as të autorizojë kërkesën.

AKSK rekomandon që edhe email-i i lidhur me llogarinë të mbrohet me një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë. Në rast humbjeje të aksesit, autoriteti këshillon përdorimin vetëm të procedurave dhe kanaleve zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e llogarisë.

“Aktivizoni verifikimin me dy hapa (Two-step verification) te Settings → Account. Mos ndani me askënd kodet e verifikimit, fjalëkalimet apo të dhënat e llogarisë. Kontrolloni rregullisht seksionin “Linked Devices” dhe shkëputni menjëherë çdo pajisje që nuk e njihni. Mos klikoni linqe të dyshimta të dërguara me SMS, WhatsApp apo email, veçanërisht kur ju kërkohet të verifikoni llogarinë.

Nëse merrni një kod ose njoftim për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër pa e kërkuar vetë, mos e ndani kodin dhe mos autorizoni kërkesën. Siguroni edhe adresën e email-it të lidhur me llogarinë, me një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë. Nëse humbni aksesin në llogarinë tuaj, përdorni vetëm procedurat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e saj. Një kod verifikimi është personal. Edhe kur kërkesa duket sikur vjen nga një person që njihni, verifikojeni përpara se të veproni”, shkruan AKSK.