Zbardhen detaje të reja nga plagosja e ndodhur pas mesnate në hotelin “Gjuta” në Sauk.
Sipas burimeve policore, 18-vjeçarja ka qenë e vetme në dhomë në momentin kur dyshohet se ka marrë armën dhe ka qëlluar veten. Në atë kohë, Sajmir Gjuta dhe Erisjaldo Gjuta ndodheshin jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënën. Pasi kanë hyrë në dhomë, e kanë gjetur të renë të plagosur.
Sipas hetimeve, më pas në ambient kanë mbërritur edhe Mirvete Gjuta, nëna e 22-vjeçarit, si dhe Vladimir Gjuta, xhaxhai i tij. Dyshohet se ata kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes, duke fshehur armën dhe duke pastruar gjurmët e gjakut. Ndërkohë, Mirvete Gjuta dhe Elvir Gjuta, kushëri i 22-vjeçarit, janë nisur me makinë për ta dërguar vajzën në spital, me udhëzimin që të deklaronin se e kishin gjetur të shtrirë pranë rrethit të Ekonomikut.
Pas veprimeve hetimore, policia ka arritur në përfundimin se plagosja ka ndodhur brenda hotelit në pronësi të familjes. Burime bëjnë me dije se e reja dyshohet të ketë pasur edhe më herët episode të vetëdëmtimit.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar Mirvete Gjuta dhe Vladimir Gjuta, ndërsa në kërkim janë shpallur Sajmir Gjuta, Erisjaldo Gjuta dhe Elvir Gjuta. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
