Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka dhënë një paralajmërim për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në SHBA me vizë turistike me qëllim lindjen e fëmijëve.

Në një njoftim zyrtar, ambasada thekson se personat që përdorin vizat turistike për të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe mbështeten në programet publike amerikane për të mbuluar shpenzimet mjekësore, mund të përballen me pasoja gjatë aplikimeve të ardhshme për vizë.

Sipas njoftimit, disa prindër shqiptarë kanë përdorur programin Medicaid për të përballuar kostot e kujdesit shëndetësor gjatë lindjes. Ambasada thekson se këto shpenzime mbulohen nga fondet publike, pra nga taksapaguesit amerikanë.

“Prindërit që përdorin viza turistike për të lindur në SHBA mund të mos kualifikohen për rinovimin e vizave të tyre në të ardhmen”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës.

Autoritetet amerikane kanë theksuar vazhdimisht se viza turistike nuk duhet të përdoret për qëllime që bien ndesh me arsyen e udhëtimit të deklaruar gjatë aplikimit. Përdorimi i saj për të marrë përfitime të caktuara publike ose për të shmangur rregullat e emigracionit mund të ndikojë në vendimet e ardhshme për pajisjen me vizë.