Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp mbi situatën e motit, duke paralajmëruar qytetarët për reshje të dendura shiu që priten gjatë ditëve 17–18 Nëntor, të cilat mund të rrisin rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshjet më intensive do të përfshijnë qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në Lezhë priten reshje intensive dhe në Dibër, Durrës e Tiranë reshje mesatare deri intensive. Autoritetet paralajmërojnë se shtrëngatat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara urbane.
Prurjet në lumenjtë kryesorë, përfshirë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, pritet të rriten ndjeshëm në ditët në vijim, gjë që e shton edhe më shumë rrezikun për zonat përreth.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë kërkuar nga bashkitë dhe strukturat vendore të marrin masa urgjente, duke përfshirë:
-Njoftimin e popullsisë, blegtorëve dhe bizneseve të rrezikuara;
-Kontrollin dhe pastrimin e kanalizimeve dhe pusetave;
-Vendosjen në gatishmëri të hidrovorëve, sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe furnizimit me energji;
-Monitorimin e vazhdueshëm të niveleve të ujit dhe organizimin e evakuimeve preventive kur të jetë e nevojshme.
Autoritetet apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet në zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për të asistuar qytetarët në çdo situatë emergjente.
