Lëvizja e qyetarëve me monopatina elektrike do të jetë e ndaluar nga dita e hënë, 13 Tetor.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, ndërkohë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka njoftuar operacionin policor duke kërkuar mirëkuptmin e qytetarëve.

“Kemi marrë një sërë ankesat nga qytetarët rreth rrezikut që monopatinat përfaqësojnë, sidomos për të miturit dhe të moshuarit që lëvizin në rrugë, por dhe vetë përdoruesit. I kam kërkuar Policisë së Shtetit, të pezullohet përkohësisht lëvizja e monopatinave elektrike.

Të gjitha ata që e shohin monopatinën elektrike si një mënyrë biznesi për dhënien me qira, ta kenë të qartë të mos investojnë. Lejimi, pas përfundimit të këtej procesi, do të jetë i vlefshëm për përdorim vetjak. Do hartojmë rregulla të qarta për të gjithë, do qartësojmë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren, kriteret e moshës së përdorimit, po ashtu masat mbrojtëse, ndriçimi dhe shpejtësia e lejuar”, tha ministrja e Brendshme Albana Koçiu.

Nga ana tjetër, Drejtori Ilir Proda, e cilësoi rrezik imediat përdorimin e monopatinave elektrike.

“Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike.

Mjafton të përmendim faktin se vetëm gjatë vitit 2024 janë raportuar 991 raste të raportuara nga urgjencat për aksidentet me këto mjete. Midis këtyre rasteve ka pasur edhe fatalitete apo dëmtime shumë të rënda.

Për ta adresuar këtë problem dhe këtë rrezik që i vjen rendit e sigurisë publike dhe përdoruesve të rrugës nga përdorimi i këtyre mjeteve, ne kemi përcaktuar dhe një procedurë standarde, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, për ta adresuar këtë problem duke ndëshkuar drejtuesit e këtyre mjeteve dhe përdorimin e këtyre mjeteve në rrugë urbane, duke përfshirë edhe trotuaret dhe duke arritur deri në bllokimin administrativ të këtyre mjeteve.

Duke filluar nga dita e hënë, Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve, dhe për këtë arsye kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces”, tha Proda.