Rreth një vit larg zgjedhjeve vendore, KQZ vihet në lëvizje dhe nis përgatitjet për procesin elektoral.
Përmes një shkrese dërguar Bashkive, KQZ kërkon prej tyre të përcaktojnë qendrat e votimit, duke rikujtuar se sipas Kodit Zgjedhor ato duhet të vendosen në ambiente publike, kryesisht shkolla, qendra komunitare ose institucione shtetërore. Ambienti duhet të jetë i aksesueshëm, të garantojë neutralitet politik, qetësi dhe siguri gjatë procesit të votimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të përgatitjeve për administrimin e procesit zgjedhor dhe në mbështetje të detyrimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, ju rikujton rëndësinë e garantimit të standardeve ligjore për ambientet ku vendosen Qendrat e Votimit (QV).
Sipas Kodit Zgjedhor, Qendrat e Votimit duhet të vendosen në ambiente publike, kryesisht shkolla, qendra komunitare ose institucione shtetërore. Ambienti duhet të jetë i aksesueshëm, të garantojë neutralitet politik, qetësi dhe siguri gjatë procesit të votimit. Ambientet e QV-ve duhet të sigurojnë hapësirë të mjaftueshme për dhomat e fshehta, vendosjen e kutive, pajisjet teknologjike, mjedise të aksesueshme për persona me aftësi të kufizuara, ndriçim të përshtatshëm dhe kushte infrastrukturore që garantojnë siguri dhe fshehtësi të votës.
