Fenomeni “El Niño” po rikthen shqetësimet mes shkencëtarëve, të cilët paralajmërojnë se një episod me intensitet të lartë mund të zhvillohet në vitin 2026, me pasoja të mundshme serioze për temperaturat globale, reshjet, thatësirat dhe stabilitetin ekonomik e ushqimor.

“El Niño” është një fazë natyrore klimatike që ndodh në Oqeanin Paqësor tropikal dhe karakterizohet nga ngrohja anormale e sipërfaqes së ujërave të oqeanit. Kur është i fortë, ai mund të ndikojë në qarkullimin atmosferik global, duke sjellë thatësira ekstreme në disa rajone dhe reshje të dendura në të tjera.

Sipas disa shkencëtarëve të përfshirë në Iniciativën Strategjike për Rreziqet Klimatike, ekziston shqetësimi se viti 2026 mund të shënojë një nga episodet më të forta të regjistruara të këtij fenomeni, në një kohë kur planeti po përballet tashmë me rritje të temperaturave globale dhe sisteme të brishta bujqësore e energjetike.

Ekspertët theksojnë se një ngjarje e tillë nuk do të ndodhte në një klimë “neutralë”, por në një periudhë të ngrohjes globale të vazhdueshme, çka mund të rrisë efektet negative dhe të shtojë rreziqet për zinxhirët ushqimorë, furnizimin me ujë dhe stabilitetin social në disa rajone të botës.

Si shembull historik për ndikimet e forta të këtij fenomeni, shkencëtarët referohen te periudha 1877–1878, kur një episod i lidhur me El Niño kontribuoi në thatësira dhe uri të përhapura në shkallë globale.

Ndërkohë, episodi i fortë i viteve 2015–2016 solli gjithashtu pasoja të mëdha ekonomike në nivel global, duke treguar potencialin e këtij fenomeni për të ndikuar jo vetëm klimën, por edhe ekonominë dhe çmimet e ushqimeve.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se sot ekzistojnë sisteme më të avancuara monitorimi dhe paralajmërimi, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut përmes përgatitjes më të mirë, menaxhimit të burimeve ujore dhe mbrojtjes së sektorit bujqësor.