Demokratët Europianë kanë reaguar ndaj plagosjes së 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestave studentore në Tiranë, duke kërkuar hetim të pavarur për ngjarjen, vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë dhe ndalimin e përdorimit joproporcional të forcës nga policia.

Në deklaratën e tyre, ata pretendojnë se Vishkulli u qëllua në sy me plumb gome nga policia dhe se shikimi i tij është në rrezik.

“Në Tiranë, 28-vjeçari Erjon Vishkulli u qëllua në sy nga një plumb gome i policisë. Shikimi i tij tani është në rrezik. Ne kërkojmë një hetim të pavarur, përgjegjësi dhe fundin e dhunës joproporcionale të policisë”, thuhet në reagim.

Demokratët Europianë kanë kritikuar gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të marrë meritat për organizimin e trajtimit mjekësor të të riut të plagosur. Sipas tyre, pretendimet e kryeministrit janë kundërshtuar publikisht nga familjarët e Vishkullit.

“Dhe çfarë bën Edi Rama? Përpiqet të marrë meritat personale për organizimin e trajtimit mjekësor të të riut, një pretendim që është kundërshtuar publikisht nga vetë familja e Erjonit”, thuhet në deklaratë.

Në mesazhin drejtuar kreut të qeverisë shqiptare, ata theksojnë se mbrojtja e qytetarëve dhe garantimi i kujdesit shëndetësor janë përgjegjësi të shtetit dhe jo favore personale të një politikani.

“Zoti Rama, mbrojtja e qytetarëve është detyra juaj, jo një akt bujarie personale. Kujdesi mjekësor është një e drejtë, jo një favor nga kryeministri”, vijon reagimi.

Në përfundim, Demokratët Europianë kërkojnë që rasti të hetohet dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si përpjekje për përfitim politik nga ngjarja.

“Shqipëria ka nevojë për përgjegjësi, jo për vetëpromovim politik në kurriz të një të riu të plagosur”, përfundon deklarata.