I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani është përballur në seancën e sotme gjyqësore në GJKOO me Xhuljano Hoxhën. Ky i fundit është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Regis Runajt e Emiljano Ramazanit në Elbasan.
Hoxha ka pyetur Dumanin se ku bazohet në deklaratën e bërë ndaj tij se i shërbente grupit të Çapjave dhe kujt konkretish. Dumani ka deklaruar se emër nuk di por këtë informacion e kishte marrë nga Talo Çela dhe Erjon Alibej. Çela sipas Dumanit, kishte dhe dokumente që e deklaronin se Hoxha i ka shërbyer grupit kriminal të Elbasanit.
PJESË NGA REPLIKAT:
Hoxha: Më herët Dumani ka thënë që unë i kam shërbyer grupit Çapja. Kujt i kam shërbyer unë.
Dumani: Emër nuk di.
Hoxha: Po ku e di ti.
Dumani: Në fillim më ka thënë Erioni. Por më vonë më ka thënë edhe Suel Çela. Ai kishte një dokument, deklarim, që sipas tij i kishte shërbyer Çapjave.
Hoxha: Ti më ke parë vetë me sytë e tu?
Dumani: Jo, unë vetë jo. Nuk të kam takuar ndonjëherë. Çfarë më ka thënë Erioni dhe Sueli.
Hoxha: A jemi parë ndonjëherë?
Dumani: Po, jemi shkëmbyer tek pallati.
Hoxha: Ku i kisha kamerat tek shtëpia?
Dumani: Tek dera e shtëpisë tënde kishte kamera.
Hoxha: Më ka parë me sytë e tij të marr lekë nga Alibeaj?
Dumani: Unë vete jo, por diskutoja me Alibeajn.