Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotem, në aksin rrugor Kukës-Bicaj, në afërsi të aeroportit të qytetit verior.
Automjeti tip “Fiat Punto” me targë “AA 845 EZ”, i drejtuar nga shtetasi Toptan Hoda ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanalin anësor.
Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi 24-vjeçar dhe kunata e tij, shtetasja Resmie Hoda që ndodhej në automjet. Të dëmtuarit janë transportuar drejt spitalit të Kukësit.
Më rëndë është lënduar drejtuesi i automjetit, i cili është transportuar me helikopter drejt spitalit të traumës në Tiranë. Ndërsa 30-vjeçarja Resmie Hoda është dëmtuar më lehtë dhe po merr mjekim në spitalin e qytetit.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë lagështira në rrugë dhe shpejtësia me të cilën po ecte automjeti.
30 maj 2014 (gazeta-Shqip.com)