Ujësjellësi i vjetër i viteve ‘70 me tuba eterniti, që sot konsiderohet kancerogjen


Sulejman Dida


Dhjetëra familje të lagjes Aliavata, në fshatin Surroj të komunës me të njëjtin emër, po vuajnë prej shumë kohësh mungesën e ujit të pijshëm. Lagjja ndodhet pak kilometra larg qendrës së komunës dhe 30 kilometra larg Kukësit. Thatësira e sivjetme duket se ka shkrumbuar gjithçka aty, përfshi edhe shpresat në këtë zonë se mund të mbijetohet. Siç tregon kryeplaku i fshatit, mungesa e ujit të pijshëm po bën që zona të shpopullohet, ndonëse ky vend nuk është pa burime natyrore për të jetuar, pra tokë dhe terrene të përshtatshme për blegtori. “Deri para pak muajsh lagjja jonë ka pasur rreth 250 banorë dhe ka qenë një nga lagjet që i ka rezistuar shpërnguljes masive të fshatrave të tjerë, por e shoh se disa familje po ngrenë plaçkat për të ikur drejt zonave të tjera, ku i pret ndoshta një aventurë e vështirë, por shkaku është thjesht mungesa e ujti të pijshëm”, thotë kryeplaku. Një amvisë, nënë e 6 fëmijëve, tregon se mungesa e ujit të pijshëm ka krijuar problem për jetën në familje, pasi nuk kanë ujë as edhe për t’u larë. “Ku të marrim ujë për t’u larë, për të gatuar; burimi i ujit ndodhet rreth gjysmë ore larg dhe atje duhet të presësh radhën, por më thuaj a mundesh që me bidonë të ngopësh nevojat e familjes me ujë”, tha gruaja, duke shtuar se disa puse në fshat kishin shteruar nga thatësira e tejzagjatur dhe tashmë edhe bagëtitë i dërgonin në Drinin e Zi, dy orë larg për të pirë ujë.


Ujësjellësi kancerogjen


Banorët tregojnë se dikur ka pasur një ujësjellës, një sistem tubacionesh eterniti i ndërtuar në vitet ‘70. Por ky ujësjellës ishte shkatërruar që prej 15 vitesh dhe funksiononte vetëm një degëzim i tij në disa qindra metra larg lagjes. Por njerëzit aty treguan se ky ujësjellës, edhe ashtu i dëmtuar, ishte shpallur nga disa specialistë të higjienës si i ndaluar, pasi tubat e eternitit, siç kishte thënë një specialist, janë kancerogjenë. “Eternitin sot nuk e përdorin as për mbulimin e çatisë, e jo më për tuba të ujit të pijshëm”, tha një banor, duke iu referuar bisedës me specialistët e higjienës. Sidoqoftë disa shtëpi arrinin ta përdornin edhe në kundërshtim me rekomandimet, atë pak ujë që sillte sistemi i amortizuar i viteve ‘70. Alternativa e vetme për momentin ishte të mbushnin ujë te vendi i burimit, i quajtur “Dhëmbi i dhisë”, 2 km larg fshatit. Atje shkojnë që në mëngjes herët fëmijët me bidonë, gratë me bucela, si dhe me kafshë pune të ngarkuar me bidonë të mëdhenj.


Projekti


Administrata e komunës, siç u shpreh një nëpunës, e njeh situatën e mungesës së ujit në këtë fshat dhe ka hartuar projektin përkatës për këtë. “Kemi kryer të gjitha procedurat dhe jemi në pritje të financimeve për këtë ujësjellës”, tha nëpunësi i komunës, duke shtuar se vlera totale e krejt projektit ishte 8 milionë lekë. Edhe banorët pohuan interesimin e komunarëve, madje shpresonin shumë se një ditë do të niste puna për ujësjellësin e ri. “E dini çka na mban ne këtu? Shpresa se një ditë do të ndërtohet ujësjellësi që kërkojmë”, thotë Ardiani, një fëmijë 13 vjeç që mbushte ujë me gomar. “Nëse ujësjellësi nuk bëhet, ne duhet të ikim prej këtu, nuk jetohet pa ujë”, tha me një farë shprese, por edhe zhgënjimi 13-vjeçari.