Në ditën e fundit të vitit 2025, bora ka zbardhur fshatrat e zonave të thella të Kukësit. Reshjet e dëborës kanë përfshirë disa fshatra në njësitë administrative si Gryk-Çajë, Kalis, Bicaj, Topojan, Zapod dhe Shishtavec.

Fatmirësisht, bora nuk ka sjellë probleme me bllokimin e rrugëve në këto zona, pasi trashësia e saj ka qenë e vogël dhe e papërfillshme. Megjithatë, temperaturat e ulëta kanë ndikuar ndjeshëm në të gjithë qarkun.

Qarku i Kukësit është zgjuar këtë mëngjes i ngrirë, me temperatura që kanë zbritur deri në minus 3 gradë Celsius, ndërsa në zonat e thella malore termometri ka shënuar vlera ekstreme, duke arritur deri në minus 16 gradë Celsius. Këto temperatura kanë shkaktuar akull dhe ngrica në rrugë.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët rurale, pasi shtresa e hollë e borës ka mbuluar akullin e formuar mbi asfalt, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm.

Ndërkohë, në disa fshatra të njësive administrative të përmendura, banorët shprehen se dimrat në këto zona janë tradicionalisht shumë të ftohtë, por vitet e fundit moti dimëror nuk ka qenë aq i ashpër dhe reshjet e dëborës kanë qenë më të pakta.

Sa i përket akseve nacionale, në rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kamn–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, është konstatuar prezencë e akullit dhe borës. Mjetet që lëvizin në këto segmente duhet të jenë të pajisura me goma dimërore ose zinxhirë.

Ndërkohë, firmat kontraktore janë në terren gjatë gjithë kohës, duke punuar për hedhjen e kripës dhe mbajtjen e rrugëve të hapura dhe të sigurta për qarkullim